Ambasadori i Francës në Kosovë: Të shtyhet vendimi për zbatimin e rregullores së BQK-së

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot ka kërkuar që të shtyhet vendimi për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), e cila lejon përdorimin e euros si monedhë e vetme për të kryer pagesa me para të gatshme në Kosovë.

Guerot ka thënë se edhe pse vendet e QUINT-it e përkrahin këtë rregullore pasi që synimi i saj është rregullimi bankar dhe financiar i Kosovës, gjatë kësaj periudhe tranzicioni duhet të ketë më shumë informim e konsultime para se të implementohet.

“Kërkesa jonë që e kemi bërë, ne dhe vendet e QUINT-it është që të bëhet një tranzicion para se të implementohet kjo rregullore, duhet të ketë më shumë konsultime dhe informata para se të implementohet. Ne bëjmë thirrje për pezullimin e kësaj rregullore për hir të informimit të duhur të popullatës, dhe mundësinë e gjetjes së zgjidhjeve së mundshme teknike”, ka deklaruar Guerot.

Ambasadori ka shtuar se është e rëndësishme që të dy palët të ulen dhe të diskutojnë çështjet teknike para implementimit të kësaj rregulloreje dhe se kanali i vetëm për zgjidhjen e kësaj situate është dialogu./21Media

Back to top button