Ambasadori italian: U preka thellë nga dëshmia e jetës së Ferdonije Qerkezit

 
Ambasadori i Italisë në Kosovë, Nicola Orlando, ka vizituar sot Ferdonije Qerkezin, në Ditën Kombëtare të personave të zhdukur.
Orlando ka thënë se është prekur nga dëshmia e jetës së Ferdonije Qerkezit për dhimbjen dhe humbjen.
“Në Ditën Kombëtare të Personave të Zhdukur në Kosovë u preka thellë nga dëshmia e jetës së Ferdonije Qerkezi për dhimbjen dhe humbjen. Shtëpia e saj e madhe e zbrazët është një kujtesë dinjitoze dhe imponuese e plagëve të hapura që ende duhet të marrin përgjigje, duke shmangur çdo politizim”, ka shkruar Orlando në Twitter.


Ferdonije Qerkezit nga Gjakova forcat policore të Serbisë ia rrëmbyen katër djemtë dhe burrin: Artanin, Edmondin, Armendin, Ardianin dhe Halimin. Eshtrat e Artanit e Edmondit janë kthyer në vitin 2005. Ndërsa asgjë nuk dihet sot e kësaj dite për fatin e tre të tjerëve.

Shënimi i kësaj dite më 27 prill bëhet për faktin se në këtë datë, në vitin 1999, në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe patën vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë të moshës 15 deri 60 vjeç.
Nga numri i përgjithshëm i personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, kanë mbetur edhe 1 mijë e 643 njerëz, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë./21Media

Back to top button