Krerët e shtetit po zotohen se do të kenë prioritet ndriçimin e fatit të të pagjeturve dhe gjithë atyre që u vranë luftën e fundit. Masakrën në Mejë e kanë quajtur “Srebrenicë të Kosovës”, duke shtuar se është dëshmia më e fuqishme e gjenocidit në Kosovë.

Presidentja e Kosovës dhe kryeparlamentari kanë bërë homazhe në përvjetorin e masakrën në Mejë të Gjakovës. Ata pranë kompleksit memorial në këtë vend kanë kërkuar drejtësi për mbi 370 të vrarët.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se sot po përkujtojnë të gjithë ata që kanë rënë si martirë për lirinë e sotme.

“Meja është Srebrenica e Kosovës. Meja është dëshmia më e fuqishme e gjenocidit që ka ndodhur në Kosovë e që është kryer nga forcat serbe, nga aparati shtetëror serb. Dhe për të kërkuar drejtësi për të gjithë të rënët. E po ashtu zbardhje të të gjithë të zhdukurve, disa prej të cilëve janë këtu nga Meja. Ishin vrarë gjatë operacionit serb në masakrën e Mejës. 376 djem e burra të pafajshëm u vranë në mënyrën më mizore, u masakruan dhe disa prej tyre u gjetën në varreza në Serbi. Duke treguar kështu për krimin e shumëfishtë të Serbisë, e cila kishte filluar me masakrimin e tyre. Dhe kishte vazhduar edhe me tentimin për të humbur gjurmët e këtij krimi të tmerrshëm ndaj qytetarëve të pafajshëm. 36 nga të vrarët ishin fëmijë, ishin fëmijë nën moshën 18 vjeçare, dhe sot i përkujtojmë me dhimbje të madhe. Me zotimin që institucionet e Kosovës, jo vetëm që do të kenë prioritet zbardhjen e fatit të të pagjeturve, por edhe drejtësinë për të vrarët e të masakruarit”, ka deklaruar Osmani.

Kryetarja e shtetit shtoi se liria e vendit ka kuptim, vetëm atëherë kur do të ketë drejtësi për të gjithë ata që u vranë nga aparati i shtetit serb.

“Prandaj këtu nga Meja përbrenda vendit tonë, por e ngrisim zërin që ta dëgjojë e gjithë bota që në Mejë, Serbia ka kryer një krim të cilin duhet ta quajmë me emrin e tij të vërtetë, gjenocid”, ka shtuar ajo.

E kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se masakra në Mejë tregon aktin më gjenocidial, që Serbia ka bërë në Kosovë. Sipas tij, kush e viziton Mejën e ka të qartë që shteti serb ka kryer gjenocid në Kosovë.

“Pikëllimi është më i madh sepse drejtësi nuk ka pasur kurrë për të rënët e Mejës. Meqenëse edhe në ato pak procese gjyqësore, ku janë dënuar 4 apo 5 oficerë të policisë, masa e atyre që kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në masakra, numri i tyre është më i madh. Edhe ata jetojnë diku të lirë, nëpër Serbi. Pikërisht kjo Serbi përveç që ka kryer krimin edhe ka dashtë me fsheh krimin. Qysh ka dashtë me fsheh krimin? I ka marrë me kamionë shumë prej të vrarëve, shumë prej martirëve dhe i ka dërguar në Beograd. Sepse Batajnica është afër Beogradit. Edhe ku ka shkuar i ka fsheh, i ka fsheh me qëllim në bazat e institucioneve të tyre shtetërore”, ka deklaruar ai.

Më tej, Konjufca theksoi se tendenca e shtetit që kreu gjenocid në Kosovë, ishte që trupat të mos gjenden kurrë. Për këtë ai deklaroi se agresori serb duhet të jetë edhe më përgjegjës për të gjitha krimet.

Në Mejë të Gjakovës shumë varre janë të hapura. Ende nuk dihet për fatin e 13 personave, derisa nuk ka drejtësi për 376 të masakruarit.