Ambasadori konfirmon mbështetjen e Austrisë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Christoph Weidinger, me të cilin bisedoi për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
Konjufca ka falënderuar ambasadorin për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit austriak ndaj Kosovës.
Kreu i Kuvendit, ndër të tjera, ka thënë se Austria mbetet partner i rëndësishëm për Kosovën dhe ka shprehur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit në projekte të përbashkëta siç është projekti DEMOS, si dhe në sferën e legjislativit dhe të diplomacisë parlamentare.
Ambasadori Weidinger, duke e vlerësuar shumë të rëndësishëm partneritetin e ndërsjellë, ka konfirmuar edhe njëherë mbështetjen e Austrisë për Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimet euro-atlantike.
Në takim është folur edhe për procesin e dialogut me Serbinë, për çka Konjufca ka përsëritur qëndrimin se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të rezultojë me njohje reciproke.

Back to top button