Ambulanca pa ujë, mjekët lajnë enët tek çezma e fshatit

Me mantel të bardhë, Hava Saiti shkon tek çezma e fshatit të laj enët

Ajo thotë se detyrohet ta bëjë këtë sepse ambulanca e Haraçinës nuk ka furnizim të mjaftueshëm me ujë. E këtë problem kjo ambulancë që gjendet në qendër të Haraçinës në Maqedoni e ka për më shumë se një dekadë.

Por, në javën e fundit, stafi mjekësor thotë se kanë mbetur pa pikë uji dhe druajnë për higjienën në këtë shtëpi të shëndetit, shkruan TV21.TV

“Mundohemi të mbajmë higjienë, por sa mund të jetë kjo higjienike. Për të punësuarit është më vështirë, sepse pacientët vijnë e shkojnë. Por, ne mundohemi të mbajmë pastërti, deri sa përgjegjësit ende nuk kanë ndërmarrë masa. Të gjithë e dinë që nuk ka ujë, madje edhe komuna, por askush nuk ka bërë ndonjë veprim konkret për të sjell ujë rregullisht tek ambulanca fshatit”, tha Hava Saiti-Nexhipi, Motër medicinale.

Pa ujë kanë ngelur edhe shtëpitë rreth ambulancës. Rexhep Halimi thotë se nga pusi i shtëpisë deri tani ka furnizuar me ujë ambulancën.

“Ambulanca nuk ka ujë, ne ja kemi lëshuar një gyp prej bunarit të shtëpisë sonë, por ajo nuk është zgjidhe se askush nuk ka ujë në këtë anë. Ujë nuk kemi, prej ujësjellësit na vjen uji një herë në muaj, kur të ndalet rryma këtu mbushin të gjithë ata që nuk kanë bunarë”, u shpreh Rexhep Halimi, Banor i Haraçinës.

Me mungesë të ujit përballet edhe pjesa e epërme e fshatit. Banorët e drejtojnë gishtin nga komuna, por kryetari Haraçinës, Brahim Ajvazi, nuk ndihet përgjegjës duke thënë se objekti është dhënë në koncesion të mjekëve privat. Nga Shtëpia e Shëndetit të Bit pazarit, në kompetencë të së cilës është edhe ambulanca e Haraçinës thonë se nuk janë të njoftuar me problemin. Drejtori, Besim Koka thotë se do të bëj kërkesë tek Ndërmarrja publike e ujësjellësit dhe kanalizimit që defekti të sanohet brenda dy ditësh. Objektin e shtëpisë së shëndetit, përveç ordinancës publike për preventivë, e shfrytëzojnë nën koncesion edhe tri ordinanca tjera private, por fatin e ndajnë të njëjtë – nuk kanë ujë./21Media

Back to top button