Anulimi i Festivalit Sunny Hill, reagoi Çeku: Patëm presion

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka reaguar pas anulimit të mbajtjes së festivalit Sunny Hill në Prishtinë dhe zhvendosjen e tij në Tiranë, duke thënë se kanë patur presion dhe se iu kërkua vendim i shpejtë.
Në një postim në Facebook Çeku ka thënë se as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër nuk ka të drejtë ta përdor territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat dhe kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë.

“Nuk e ka të drejtën as kjo qeveri e as ndonjë qeveri tjetër, ta përdorë territorin e Kosovës pa i peshuar mirë kostot, përfitimet, pasojat, kohëzgjatjet në të cilat jepet në përdorim një tokë. Procesi i vendimmarrjes kërkon kohë për të qenë i plotë dhe për të mos qenë i gabuar apo abuziv. Nuk është e drejtë t’i dërgohet letër qeverisë ku t’i kërkohet vendimmarrje e shpejtë për Sunny Hill, dhe pas një kohe të shkurtë të shfaqet njoftimi se organizimi paska ndryshuar vendndodhje. Ky lloj presioni nuk lë kohë të mjaftueshme për t’u siguruar që vendimet institucionale do të ofrojnë mbrojtje të plotë të interesit publik, madje nuk lë kohë të shikohen as aspektet ligjore”, ka shkruar ai ndër tjera.
Çeku tutje ka thënë se e presim sa më shpejt në Kosovën e saj edhe Dua Lipën me dashuri e respekt të madh.
“Ajo ka kontribuar si artiste e si shqiptare në imazhin tonë ndërkombëtar. Asnjëherë nuk do të lejojmë që figura e saj të keqpërdoret apo të zbehet nga debate të politikës apo biznesit”, ka shkruar ai.
Sipas tij, në Kosovë nuk do të mungojnë ngjarjet e përmasave të ndryshme, “me artistë vendorë e ndërkombëtarë. Edhe Sunny Hill gjithnjë do ta ketë derën hapur, për diskutime të qeta, e për marrëveshje transparente dhe pa presion”./21Media

Back to top button