Kaloni te përmbajtja kryesore

Apeli ia zbut dënimin Tom Dodajt, për shitjen e armës me të cilën u vra Liridona Ademaj

Gjykata e Apelit ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë sa i përket sanksionit penal për Tom Dodajn, duke e dënuar me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë për shitjen e armës me të cilën është vrarë Liridona Ademaj. 

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 janar 2025 e kishte dënuar të akuzuarin Dodaj me 5 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.

Për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023, të akuzuar janë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dodaj. Këtë të fundit, Prokuroria e ngarkon se ka shitur armën me të cilën është kryer vrasja.

Kundër aktgjykimit të Themelores, ankesë kishte parashtruar mbrojtësi i Dodajt, avokati Agron Kuqi, për shkak të vendimit mbi lartësinë e dënimit dhe shkeljes së parimit të ligjshmërisë, me propozimin që rasti të kthehet në rigjykim ose që aktgjykimi të ndryshohet dhe Dodajt t’i shqiptohet dënim më i butë- përkatësisht me gjobë ose dënim me kusht, me të cilin do të arrihet qëllimi i dënimit.

Kurse, Prokuroria e Apelit, përmes parashtresës së 4 qershorit 2025, ka propozuar që të refuzohet ankesa e mbrojtjes së Dodajt si e pabazuar, ndërkaq aktgjykimi i ankimuar të vërtetohet.

Përmes vendimit të 10 dhjetorit 2025, është aprovuar si e bazuar ankesa e avokatit Kuqi, ndërkaq është ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë sa i përket dënimit, kështu i akuzuari për veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”, u dënua me 3 vjet burgim dhe 3 mijë euro gjobë, të cilat dënime do të ekzekutohen pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Në pjesët tjera, aktgjykimi mbetet i pandryshuar.

Sipas Apelit, aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje të dispozitave të procedurës penale e as shkelje të tjera, të cilat detyrimisht do të kushtëzonin prishjen e këtij vendimi.

Lidhur me vendimin mbi dënimin, Apeli konstatoi se pretendimet e mbrojtjes për një dënim më të butë janë të bazuara.

Shkalla e dytë thekson se Themelorja me rastin e dënimit, mori parasysh rrethanat lehtësuese: pranimin e fajësisë në të gjitha fazat e procedurës, pendesën dhe kërkim faljen për familjen e dëmtuar- edhe pse ka thënë se nuk ka qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që e ka shitur. Ndërkaq, rrethanë rënduese është marrë rrezikshmëria shoqërore e veprës penale.

Duke i vlerësuar këto rrethana, shkalla e parë mori vendim me të cilin e dënoi me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë Dodajn, me bindje se me këtë do të arrihet qëllimi i dënimit. Por, Apeli ka vlerësuar se ky dënim ishte i ashpër.

“Dënimi i shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë prej 5 (pesë) vite burgim dhe dënim me gjobë prej 5 (pesë mijë) euro në rrethanat e çështjes rezulton se është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese të pranimit të fajësisë në të gjitha stadet e procedurës penale, të cilës rrethanë nuk i është dhënë rëndësia e duhur me rastin e caktimit të dënimit, në ndërlidhje edhe me rrethanat e tjera si pendimin e tij, gatishmërinë për bashkëpunim, kërkim faljen familjes së dëmtuar për veprën e kryer, faktin që nuk kishte qenë në dijeni se për çfarë do të përdorej arma që kishte shitur…”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, në vendim thuhet se nga shkresat e lëndës, rezulton se për Tom Dodajn kjo ishte hera e parë që bie ndesh me ligjin. Aty thuhet se i akuzuari është i martuar dhe babai i tre fëmijëve, mbajtës i familjes, rrethana të cilat sipas kësaj Gjykate, tregojnë se edhe me një dënim më të ulët, mund të arrihet qëllimi ndëshkimor.

“Prandaj, kjo Gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar si në dispozitiv të këtij aktgjykimi ndaj të akuzuarit është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprës së kryer penale dhe shkallën e përgjegjësisë penale të akuzuarit dhe me intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe me të do të mund të parandalohet i akuzuari nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale”, thuhet në vendimin e Apelit. /BetimipërDrejtësi

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button