Kaloni te përmbajtja kryesore

Myftiu Tërnava mesazh partive politike në prag të Kurban Bajramit

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava iu ka bërë thirrje partive politike që fushatën zgjedhore ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt e larg gjuhës së urrejtjes.

Në mesazhin e tij para festës së Kurban Bajramit, Tërnava tha se më 7 qershor të këtij viti qytetarët e Kosovës do të përballen me një moment vendimtarë për dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e vendit.

Ai ftoi subjektet politike që të garojnë me ide dhe vizion dhe se Kosova ka nevojë për unitet e institucione të forta.

“Në realitetin politik dhe ekonomik që po kalon vendi ynë kjo festë na fton të reflektojmë për më shumë përgjegjësi, unitet dhe shpresë le të jetë bajrami një moment afrimi mes njerëzve, tejkalim i ndasive dhe forcim i besimit. Më 7 të muajit të ardhshëm vendi ynë përballet me një moment vendimtarë për demokracinë dinjitetin qytetar dhe të ardhmen e shtetit ditën kur zëri i popullit përcakton rrugën që do të ndjekim, është dita kur vota bëhet forcë, përgjegjësi dhe shpresë për të mbrojtur të ardhmen tonë me guxim unitet dhe vizion. Andaj, iu bëjë thirrje të gjitha forcave politike në vend që fushatën ta zhvillojnë me dinjitet, maturi dhe respekt larg gjuhës së urrejtjes dhe përçarjes le të garohet me ide dhe vizion dhe përgjegjësi ndaj atdheut sepse sovrani është qytetari dhe vullneti i tij duhet të respektohet mbi çdo interes politik pavarësisht rezultatit Kosova ka nevojë për unitet, bashkëpunim dhe institucione të forta t’iu shërbejnë popullit dhe të mbrojnë të ardhmen e vendit tonë“, tha ai.

Myftiu, Tërnava uroi që festa e Kurban Bajrami të sjellë paqe, harmoni dhe begati në familje, duke bërë thirrje për dialog, solidaritet dhe angazhim për një botë më të drejtë e më njerëzore.

“Në këtë natë feste e reflektimi mesazhi i bajramit bëhet edhe më i fuqishëm kur ne zgjedhim paqen para urrejtjes, dialogut para konfliktit dhe humanizimin para interesave që sjellin shkatërrim. Sakrifica dhe solidariteti që simbolizon kjo festë na ftojnë të mos heshtim përballë padrejtësisë, por të lutemi dhe të angazhohemi për një botë më të drejtë, më njerëzore dhe më të sigurt për të gjithë. Në këtë natë bajrami uroj që në familjet tuaja të mbretëroj paqja, harmonia dhe begatia”, tha ai.

Në mesazhin e tij, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava deklaroi se Kurban Bajrami simbolizon paqen, sakrificën, solidaritetin dhe afërsinë me Zotin, duke theksuar rëndësinë e ndihmës ndaj nevojtarëve dhe bashkimit mes njerëzve.

Sipas tij sot më shumë se kurrë është nevoja të ruhen traditat dhe të forcohet familja.

“Kurban Bajrami lidhet ngushtë me adhurimin më madhështor të haxhit me qëndrimin në Arafat, sot është dita kur miliona besimtarë nga mbarë bota bashkohen në lutje, përulësi dhe kërkim falje para krijuesit në rrafshnaltën e Arafatit qëndrim i cili na mëson barazinë mes njerëzve, pastërtinë dhe nevojën për tu kthyer gjithmonë tek paqja, drejtësia, mëshira e solidariteti..Kjo festë bartë në vete edhe simbolikën e kurbanit një akt i lartë bindjeje sakrifice dhe afërsie me zotin e madhërishëm. Kurbani na kujton se njeriu fiton vlerë kur di të ndaj nga vetja për të tjerë, kur ndihmon nevojtarin, kur afron zemrat dhe forcon solidaritetin mes njerëzve”, deklaroi ai.

Të mërkurën, më 27 maj 2026 besimtarët myslimanë festojnë Kurban Bajramin, ndërsa manifestimi është planifikuar të filloj në ora 4:25, e falja e namazit të Kurban Bajramit në orën 5:40.

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button