Arratisja e Blerim Ramadanit, Policia lëshon fletarrestim për ish-ushtarin e UÇK-së nga Kosova
Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni është arratisur nga arresti shtëpiak në shtëpinë e të afërmve ku po qëndronte.
“Autoriteti gjyqësor kompetent ka dorëzuar dokumentacion në MPB për dhënien e fletarrestit qendror për personin B.R. pasi aktualisht është i pa qasshëm për organet e ndjekjes. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit”, thotë Ministria e Punëve të Brendshme.
Fletarrestimin ndaj Ramadanit e kishte lëshuar Interpolit nga Serbia. I pyetur nëse kjo do të ndikojë në marrëdhëniet Maqedoni-Serbi, kryeministri Hristijan Mickoski, tha se si si shtet dhe si qeveri duan të ndërtojmë marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët, pa përjashtim, dhe se për këtë nuk duhet të ketë asnjë dilemë.
“Kjo që po ndodh në sistemin tonë gjyqësor është një hap drejt asaj që na duhen ndryshime për të cilat unë vazhdimisht apeloj dhe flas. Thjesht, 2% besim të qytetarët rezultojnë me çështje të tilla dhe dilema. Pse ndodh kjo, si ndodh kjo, kush sjellë atje vendime, pse sillen vendime të këtilla, pse dikush ikë e dikush tjetër jo”, tha Hristijan Mickoski..
Ministri Arben Taravari, që vjen nga radhët e koalicionit qeverisës VLEN, tha se është dëgjuar me Blerim Ramadanin, i cili është dashur të lirohet që në fillim, por një prokuror e ka ndërlikuar punën.
“E di se Blerim Ramadani është dashur prej ditës së parë të lirohet, por fatkeqësisht një prokuror prej Kërçove nuk e la atë mundësi që atë ditë të lirohet dhe e komplikoi situatën, më tutje çfarë ka ndodhur, nuk kam dijeni, besoj që institucionet përkatëse do të japin informata”, tha Arben Taravari.
Kanë pasuar edhe reagimet opozitare rreth kësaj arratisjeje.
“Humbësit e zgjedhjeve, vasalët puthadorë në qeverinë monoetnike, të cilët nuk kanë legjitimitetin e votuesve shqiptarë, por janë të preferuarit e VMRO-së, u krekosën që e kanë liruar Blerim Ramadanin, duke e mashtruar opinionin kombëtar sepse atij vetëm iu ndryshua masa e sigurisë, ndërsa dje, policia vendosi ta arrestojë përsëri dhe ta dërgon në paraburgim aktiv”, thotë BDI.
“Arratisja e djeshme e Blerim Ramadanit, personit të kërkuarit me fletarrest ndërkombëtar, është edhe një ngjarje në vargun e ngjarjeve që konfirmojnë se MPB-ja e Toshkovskit nuk ka kontroll mbi shtetin. Pyesim se si është e mundur të lejohet arratisja e një të burgosuri të kërkuar me urdhër ndërkombëtar? A e la të arratisej apo është krejtësisht i paaftë për të mbrojtur një kriminel të kërkuar ndërkombëtarisht?”, deklaroi LSDM
Për këtë nga VMRO-DPMNE u kundërpërgjigjën me një pyetje drejtuar LSDM-së, që këta të tregojnë se çfarë lidhje ka MPB-ja me vendimin e gjyqit që e lëshoi Blerim Ramadanin në paraburgim shtëpiak.
Përndryshe, Ramadani u arrestua më 17 në pikën kufitare të Jazhincë, pas çka u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues. Gjykata më 1 gusht e ka ndryshuar vendimin nga “paraburgim” në “arrest shtëpiak” dhe sipas vendimit ai është dërguar në një adresë në Shkup ku ishte paraparë të qëndronte deri më 16 gusht, vend nga ku ai u arratis.