Arrestimi i tre llapjanëve, MPJD: Serbia vazhdon të ketë qasje destruktive

Disa kosovarë janë arrestuar nga policia serbe në pikën kufitare në Merdare.

Rasti është konfirmuar për portalin rtv21.tv nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

MPJD tha se lidhur me rastin është njoftuar përmes Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, por pa dhënë detaje se sa persona janë arrestuar aty.

“MPJD mbetet e angazhuar që bashkërisht me institucionet e nivelit më të lartë të vendit të trajtoj me prioritet çështjen e arrestimeve ilegale të qytetarëve të Kosovës në Serbi, veprime të cilat janë shpeshtuar muajve të fundit”, thuhet në përgjigje.

Ministria e Jashtme thekson se lidhur me rastet e arrestimeve janë njoftuar edhe misionet diplomatike në Beograd.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Beograd, në vazhdimësi është duke ndjekur zhvillimet e procedurës për rastet e arrestimeve, për të cilat janë njoftuar edhe Delegacioni i BE-së dhe misionet tjera diplomatike në Serbi si dhe po ashtu është dërguar shkresë zyrtare edhe tek Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë”, ka thënë MPJD.

Ministria e Jashtme dhe Diasporës shton se Serbia vazhdon të ketë qasje destruktive.

”Të mos i respektojë marrëveshjet e arritura përmes Procesit të Berlinit, konkretisht atë për lëvizje të lirë në ËB6 dhe duke e marrë parasysh këtë qasje, MPJD përsërit apelin për qytetarët e Republikës së Kosovës që të shmangin kalimin nëpër territorin e Serbisë dhe të përdorin rrugë alternative për udhëtim”, thuhet në përgjigjen e MPJD-së për portalin rtv21.tv

Në anën tjetër kryetari i Komunës së Podujevës Shpejtim Bulliqi, tha se janë arrestuar tre qytetarë llapjanë.
Bulliqi tha se dyshon se këto arrestime kanë pasur të bëjnë me situatën në veri./21Media

Back to top button