Arrestohen 7 persona në Vërmicë për ”kontrabandë me emigrantë”

Policia e Kosovës sot ka njoftuar se rreth orës 06:30, njësitet policore kufitare gjatë vëzhgimit të terrenit në Vërmicë, konkretisht nën urën e parë të autostradës, pikërisht tek shkyçja e parë e autostradës, kanë vërejtur lëvizje të dyshimta dhe si rezultat i kësaj ka arrestuar 7 persona për veprën penale ”kontrabandim me emigrantë”.
”Aty kanë ardhur gjashtë vetura TAXI, kurse nga shkurret dhe mali kanë dalë dhe kanë hyrë në automjete disa emigrantë. Patrullat policore që ishin në vëzhgim menjëherë kanë intervenuar dhe gjashtë automjete janë shoqëruar në Stacionin Policor për Mbikëqyrje të Kufirit-Vërmicë”, është bërë e ditur në komunikatë.
Për rastin janë njoftuar hetuesit policor të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare-Perëndimi Gjakovë, Drejtoria e Migrimit dhe prokurori i shtetit.
Zyrtarë policorë nga Drejtoria për Migrim, kanë filluar sipas procedurave të merren me 15 migrantë të ndaluar në këtë rast./21Media
 

Back to top button