Arrestohet 27-vjeçari i dyshuar për vjedhje në arkat humanitare të dy xhamive
Është arrestuar sot në Shtime, 27-vjeçari i dyshuar për vjedhje në arkat humanitare të dy xhamive.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se më datën 26.01 2022, rreth orës 21:20 Policia Stacionit në Shtime kishte pranuar një informacion se në dy objekte fetare, në Xhamitë e fshatit Carralevë dhe në Lagjen e Pajtimit në Shtime, ishin vjedhur para nga arkat ku qytetarët i dhurojnë për bamirësi.
“Hetuesit e stacionit të policisë në Shtime nën autorizim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, i kishin marrë veprimet e nevojshme dhe kishin nisur hetimet”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Pas një pune hetimore, grumbullimit të informacioneve në terren, hetuesit kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarin dhe vendin e ndodhjes së tij, me inicialet S.M (M/K) i moshës 27 vjeçar, të cilin sot rreth orës 17:00 e kanë arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale të vjedhjes së rëndë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin e policisë në Shtime dhe pas intervistimit nga hetuesit policor, me vendim të Prokurorit të rastit, është liruar për procedurë të rregullt hetimore, ndërsa rasti është cilësuar “Vjedhje e rëndë”./21Media