​Arrestohet inspektori i ATK-së në Mitrovicë

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) pas marrjes së informacioneve se dy persona të dyshuar kanë konsumuar veprat penale dhënia e ryshfetit dhe marrja e ryshfetit, ka ndërmarrë veprimet operative dhe hetimore në terren që kanë rezultuar me arrestimin e të dyshuarve.

Sot, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicë jug, janë informuar se një zyrtar-inspektor i ATK-së dyshohet se mund të ketë keqpërdorur detyrën zyrtare, ku gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare në terminalin Doganor në Mitrovicë dyshohet se nga një qytetar ka pranuar një shumë të hollash.

Gjatë punës operative dhe hetimore në bashkëpunim edhe me zyrtarë të Policisë Kufitare, në hapësirat e terminalit Doganor në Mitrovicë janë siguruar dëshmitë se i dyshuari mashkull me qëllim të lehtësimit të procedurave të kontrollit, i kishte ofruar para të gatshme zyrtarit të ATK-së të cilat i janë gjetur në xhepin e tij dhe të njëjtat i janë sekuestruar përkohësisht si provë materiale relevante për veprën penale. Lidhur me rastin të dyshuarit janë shoqëruar për intervistim në prezencën e avokatëve, ku pas përfundimit të intervistave është njoftuar prokurori kompetent, i cili të dyshuarve u ka caktuar masën e ndalimit policor 48 orë.
Back to top button