Arrestohet ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon

 

Ish-këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Steve Bannon, është arrestuar me akuzën se ai dhe tre të tjerë mashtruan donatorët me qindra mijëra dollarë në një skemë fondesh në internet të njohur si “Ne ndërtojmë murin”.

Prokurorët federalë pretenduan se Bannon dhe tre të tjerë “orkestruan një skemë për të mashtruar qindra mijëra donatorë” në lidhje me fushatën në internet për mbledhjen e më shumë se 25 milionë dollarëve, për të ndërtuar një mur përgjatë kufirit jugor të Shteteve të Bashkuara.

Bannon udhëhoqi fushatën presidenciale të Trump më 2016. Pasi Trump u zgjodh president, ai u bë këshilltar i tij. Bannon u shkarkua nga pozita në gusht të vitit 2017.

Aktakuza kundër Bannon, Brian Kolfage, Andrew Badolato dhe Timothy Shea u shpall nga ana e një gjykate federale në New York City.

Dokumenti thotë se Bannon premtoi që 100 për qind e parave të mbledhura do të përdoren për projektin, por të pandehurit në mënyrë të përbashkët pretendohet se kanë përdorur qindra mijëra dollarë në kundërshtim me zotimet publike të organizatës.

Një zëdhënëse e Bannon nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment./REL

Back to top button