Arrestohet një 27-vjeçar për trafikim me narkotik
Një 27 -vjeçar me inicialet B.G është arrestuar sot pasi i njëjti dyshohet se merret me shit-blerjen e substancave narkotike.
“Identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarit (B.G., viti i lindjes 1995, mashkull, kosovar) është bërë në bashkëpunim mes hetuesve të antidrogës dhe zyrtarëve policorë që janë të angazhuar në zbatim të Planit Operativ ‘Siguria në shkolla dhe stop drogave në shkolla’. I dyshuari është arrestuar në afërsi të shkollës ‘Gjergj Fishta” në rrugën ‘Ismail Dumoshi’ në Prishtinë”, ka thënë Policia përmes një komunikate për media.
Gjatë kontrollit te i dyshuari është gjetur një sasi e vogël substancë që dyshohet të jetë marihuanë, 2 mijë e 320 euro dhe një thikë.
Policia ka kërkuar nga organet e drejtësisë leje për kontrolle në shtëpinë e të dyshuarit. Pas pranimit të urdhër-kontrollit, policia e ka realizuar të njëjtin dhe në shtëpinë e të dyshuarit ka gjetur dhe sekuestruar edhe:
Një armë zjarri AK-47 me dy karikatorë dhe 50 fishekë të kalibrit 7.62 mm, Një armë zjarri “Bereta” me një karikator dhe 8 fishekë të kalibrit 7.65 mm, Një sprej, 48 qese të vogla (dyshohet të jetë marihuanë) me peshe 39gr. Një peshore digjitale etj.
Policia ka njoftuar se pas intervistimit, ndaj të dyshuarit iniciohen dy vepra penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Mbajtje ne pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armeve’.
Me aktvendim nga prokurori kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48-orë./21Media