Arrestohet një polic, nuk e respektoi masën e arrestit shtëpiak

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar dje në orët e mbrëmjes një zyrtar policor (i stacionit policor Jugu në Prishtinë) me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe nuk e ka rrespketuar arrestin shtëpiak (lidhur me një rast ku zyrtari ishte i dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare).
Bazuar në këtë informacion IPK kishte kërkuar nga Policia e Kosovës që të verifikonte se a është duke e zbatuar masën e arrestit shtëpiak të lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë, mirëpo zyrtarët policorë nuk kishin hasur në të dyshuarin e lartcekur në shtëpinë e tij e as në objektet përcjellëse.
Hetuesit e IPK-së më vonë janë njoftuar se i dyshuari është identifikuar dhe gjatë kontrollit i njëjti dyshohet se ka lëshuar në tokë një qese që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë.
Pas këtyre veprimeve, zyrtari policor është arrestuar dhe me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë./21Media

Back to top button