Haradinaj e konsideron papërgjegjësi moszëvendësimin e ambasadorëve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur tallje të Qeverisë moszëvendësimin e 12 ambasadorëve që u liruan nga puna muaj më parë.
Haradinaj ka thënë se shumë ambasadave të Kosovës kanë mbetur me dyer të mbyllura dhe jashtë funksionit, kjo sipas tij është papërgjegjësi e skajshme e qeverisë.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka përgëzuar të gjithë ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që u tërhoqën nga shërbimi, për punën e tyre të suksesshme dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në botë.
“Shfrytëzoj rastin që të përgëzoj të gjithë ambasadorët dhe të ngarkuarit me punë që u tërhoqën nga shërbimi, për punën e tyre të suksesshme dhe përfaqësimin me dinjitet të Kosovës në botë. Jo pa arsye, veçoj ambasadorët Beqë Cufaj, Avni Arifi dhe Arbër Vllahiu me të cilët kam bashkëpunuar ngusht dhe shpreh gjithë falënderimin tim për profesionalizmin e tyre në përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të Kosovës në vendet respektive”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Ambasadorët e liruar nga detyra më 19 maj të këtij viti janë: Beqë Cufaj (Gjermani), Nait Hasani (Shqipëri), Arbër Vllahiu (Çeki), Lirim Grejqevci (Holandë), Shpend Kallaba (Hungari), Gezim Kasapolli (Kroaci), Avni Kastrati (Slloveni), Gjergj Dedaj (Maqedonia e Veriut), Hajdin Abazi (Australi), Ylber Hysa (Mali i Zi), Avni Arifi (Emiratet e Bashkuara Arabe) e Amir Ahmeti (Katar)./21Media 

Back to top button