Arrihet marrëveshja historike për të ndihmuar vendet e prekura nga ndryshimet klimatike

Një marrëveshje, e cilësuar historike, për të krijuar një fond të ndihmave për vendet më të goditura nga ndryshimet klimatike, u arrit nga pothuaj 200 vende në konferencën e OKB-së për klimën në Egjipt.
Marrëveshja e plotë COP27, pjesë e së cilës është fondi, riafirmoi gjithashtu qëllimin për të mbajtur ngrohjen globale në 1.5 gradë Celsius mbi nivelet para-industriale – një kërkesë kryesore nga një sërë vendesh.
Duartrokitje shpërthyen në COP27 në Egjipt ndërsa fondi historik u miratua pak para agimit pasi negociatat u zhvilluan gjatë gjithë natës. Marrëveshja bazohet në çështjen kryesore të “humbjes dhe dëmit”, duke iu referuar financimit për vendet e goditura nga efektet e ndryshimeve klimatike.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres thotë se marrëveshja është një “sinjal politik shumë i nevojshëm”, por paralajmëron se “qartësisht nuk do të mjaftojë”.
Por, ndërsa marrëveshja përfaqëson një përparim në atë që ka qenë një proces negociator i diskutueshëm, ajo nuk e forcoi gjuhën rreth uljes së emetimeve të gazeve serrë që ngrohin planetin.
Teksti përfundimtar gjithashtu nuk përmend heqjen graduale të karburanteve fosile, duke përfshirë naftën dhe gazin.
Marrëveshja përfundimtare shënon herën e parë që vendet dhe grupet, duke përfshirë shtetet si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë rënë dakord të krijojnë një fond për vendet e cenueshme nga fatkeqësitë klimatike të përkeqësuara nga ndotja e prodhuar në mënyrë joproporcionale nga vendet e pasura dhe të industrializuara.
Bota tani është rreth 1.1C më e ngrohtë se sa ishte në shekullin e 19-të – dhe sasia e CO2 në atmosferë është rritur me 50%. Nëse nuk bëhet asgjë, shkencëtarët thonë se ngrohja globale mund të çojë në valë shkatërruese të të nxehtit, rritje të nivelit të detit dhe humbje të specieve bimore dhe shtazore./21Media

Back to top button