Sot skadon afati për qortime, a do të arrihet marrëveshje në Bruksel?

Sot do të përfundojë masa “qortim” dhe në ora 00:01 do të nis zbatimi i masës së gjobave për veturat me targa ilegale në Kosovë.
Nga 21 nëntori deri më 21 janar, pronarët që kanë ende veturat me targat serbe në Kosovë do të gjobiten me 150 euro.
Lidhur me këtë çështje, Bashkimi Evropian tha se po punon me partnerët për të gjetur një zgjidhje afatgjate dhe ripërsëriti qëndrimin se vendimi i Qeverisë së Kosovës është i drejtë por në shpërputhje me Marrëveshjet e Dialogut. Në Bruksel janë ftuar me urgjencë Kryeministri i Republikës së Kosovë, Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe bëhet me dije se një takim mes tyre do të ndodh të hënën, saktësisht në ditën kur nis faza e dytë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat, që nënkupton gjobat prej 150 eurosh.
Për vendimin për targat, Qeveria e Kosovës tha se ka vepruar në mënyrë të ligjshme dhe se me këtë vendim, ka vënë në dijeni edhe partnerët ndërkombëtarë për këtë hap. Deklarata e qeverisë pasoi qëndrimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që shprehu zhgënjimin me vendimin e qeverisë së Kosovës për zbatimin shkallë -shkalllë të procesit të riregjistrimit të makinave në targa të Republikës së Kosovës.
Sipas BE-së, Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se nuk do të ketë shtyrje të afatit për targat.
Ndërkaq, Opozita vendimin për targat e cilësoi si një vendim të njëanshëm dhe se sipas tyre kjo do t’i rrezikojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, pas takimit të Përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve është kyç në rrugën drejt BE-së për Kosovën e Serbinë.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha sot se nuk ka propozim të ri për zgjidhjen e krizës në veri të Kosovës.
Pak ditë më parë, Stano ka deklaruar se “vendimi i Kosovës për targat është legjitim”. Stano i tha RTV21 se shtyrja e afatit do t’u mundësonte qytetarëve serbë të Kosovës të pajisen me dokument të Kosovës.
Edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se është absurde rrezikimi i një konfrontimi të dhunshëm në Kosovë për shkak të targave.
“Nevojë urgjente është vullneti politik për depërshkallëzim dhe kompromise në bazë të marrëveshjeve të Brukselit! Absurde të rrezikosh një konfrontim të dhunshëm për targat ndërkohë që Rusia po zhvillon një luftë brutale kundër Ukrainës me viktima tashmë të panumërta”, shkroi Rohde në një postim në Twitter.
Drejtori rajonal i Mitrovicës Veriore, Nenad Gjuriq, u suspendua nga puna më 3 nëntor, pasi refuzoi të bëjë shqiptimin e qortimeve ndaj qytetarëve serbë për targat, pas kësaj serbët u larguan nga institucionet e Kosovës.
Edhe deputetët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga Kuvendi i Kosovës, mirëpo ata u zëvendësuan të mërkurën e javë së kaluar me 9 deputetë tjerë./21Media

Back to top button