Arrijnë arkivolet e viktimave të masakres së Rezallës
Pranë pikës kufitare në Merdare, familjarë, të afërm nga Rezalla dhe organizata joqeveritare kanë pritur trupat e më të dashurve të tyre.Më pas do të bëhen nderime për shtatë prej trupave që janë identifikime të reja dhe dy ribashkim i trupave që u gjetën në vitin 2014 në Rudnicë.
Këta trupa po zhvarrosen nga varrezat masive në Kizhevak të Serbisë, ndërsa do të priten në pikën kufitare në Merdare.
Riatdhesimi i shtatë trupave të viktimave po realizohet me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës-Sektorit për Krime Lufte, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Vetëm në fazën e dytë të gërmimeve të vazhduar më 5 maj, janë gjetur shtatë trupa.
Përkundër fakteve të fshehjeve të krimit, asnjë person ende nuk është i dënuar.
Kosova po kërkon përgjigje për 11 lokacione të tjera, ku dyshohet për trupat e kosovarëve, të cilët u vranë, masakruan e u zhdukën.
Në territorin e Serbisë, në katër lokacione të tjera janë zbuluar varreza masive me trupat e mbi 940 shqiptarëve të vrarë në Kosovë në vitin 1999. Tash e pesë vjet në Kizhevak të Rashkës janë kërkuar mbetjet mortore të personave që u vranë e u zhdukën gjatë luftës.