Arteta shpreson që Ramsdale e Odegaard janë të gatshëm kundër United

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta ka detajuar çështjet e lëndimeve brenda klubit, me Thomas Partey që do të mungojë për disa javë dhe Mohamed Elneny që do të mungojë për disa muaj.
“Topçinjtë” kanë shijuar një fillim të përsosur në sezonin e ri të Premier Ligës me pesë fitore nga pesë ndeshje të zhvilluara, por përballen me një test të vështirë në “Old Trafford” të dielën kundër Manchester United, i cili është rikthyer nga dy humbje për të regjistruar tre fitore radhazi.
Lëndimet në mesfushë janë bërë një problem për Artetan i cili po detyrohet të bëjë ndryshime vazhdimisht, ku tani Lokonga po zëvendëson partnerin e Granit Xhakës, Thomas Parteyn.
Arsenali gjithashtu ka probleme të mëtejshme, me Oleksandr Zinchenko që ka munguar në dy ndeshjet e fundit dhe ende nuk është stërvitur me ekipin, ndërsa Aaron Ramsdale dhe Martin Odegaard do të vlerësohen të shtunën.
“Ramsdale dhe Odegaard janë vlerësuar dhe ne do të shohim më shumë nesër. Shpresojmë që ata të jenë të gatshëm për të stërvitur me ekipin”, tha Arteta në konferencën për shtyp.
“Zinchenko humbi dy ndeshje dhe nuk ka mundur të stërvitet ende me ekipin. Për Elnenyn, ne po flasim për muaj të tërë. Me Partey, ne shpresojmë se po flasim javë dhe madje më pak se kaq. Ne jemi përpjekur ta menaxhojmë atë. Shumë gjëra kanë ndodhur që kur ai u bashkua”, shtoi trajneri i Arsenalit.
Arsenali i rikthehet aksionit këtë të diele, kur edhe do ta zhvillojë ndeshjen si mysafirë kundër Manchester United, përballje kjo që zhvillohet me fillim nga ora 17:30 në stadiumin “Old Trafford”.

Back to top button