ASK për grevën e SBASHK-ut: Të shikohet interesi i nxënësve, ky vit nuk duhet të dëmtohet më tepër

Rreth 12 mijë nxënës më pak kanë vijuar vitin shkollor 2021-2022, ndërsa sfidë për sistemin parauniveristar mbetet zbatimi i kontratës kolektive në komuna. Kështu tha kryesuesi i Kolegjiumit për Arsim parauniversitar, Samir Shahini gjatë raportimit të tij para anëtarëve të
Komisionit për Arsim ku së bashku diskutuan për gjendjen e arsimit parauniversitar në nivel komunal. Ai përmendi edhe grevën e SBASHK-ut për të cilin tha se duhet të shikohet interesi i nxënësve pasi ky vit shkollor është dëmtuar mjaftueshëm.
Samir Shahini tha se Kosova numëron rreth 330 mijë nxënës në sistemin parauniveristar, në këtë shifër dominojnë për 10 mijë nxënës meshkuj sesa femra. Ai shtoi se në Kosovë vazhdon të jetë e ulët përfshirja e nxënësve në arsimit parashkollor.
Kurse, drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Besiana Musmurati kërkoi nga anëtarët e Komisionit për Arsim që ta shfrytëzojnë autoritetin e tyre për të shtyrë përpara procesin e Bordit të OSHP-së.
Duke folur për problemet me të cilat po përballet sistemi parauniveristar, udhëheqësi i Kolegjiumit për Arsim Parauniveristar, Samir Shahini tha se ka mungesë të hapësirave si laborator dhe kabinete të ndryshme por edhe palestra sportive. Derisa edhe për inspektorët që inspektojnë shkollat konsideroi se numri i tyre është i vogël por edhe jo produktiv për shkak edhe të moshës dhe mbingarkesës së tyre./21Media

Back to top button