“Askush s’ka mandat të nënshkruajë marrëveshjeje në kundërshtim me sovranitetin e vendit”

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas marrëveshjes së arritur sot ndërmjet Kosovës e Serbisë për targa. I pari i AAK-së ka kërkuar nga Qeveria që menjëherë ta publikojë tekstin integral të marrëveshjes për targat.
“Nëse është e vërtetë se qeveria ka pranuar ta trajtojë ndryshe veriun nga pjesa tjetër e Kosovës, kjo për ne është krejtësisht e papranueshme dhe e dënueshme. Karakteri unitar i shtetit nuk mund të preket.”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka potencuar se është i indinjuar me barazimin që i është bërë policisë speciale të Kosovës me grupet kriminale që kanë bllokuar rrugët në veri.
“Njëjtësimi i tërheqjes së grupeve kriminale me tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës është ofendim dhe goditje per sovranitetin e Kosovës! Poshtu, pajtimi që KFOR të marrë nën kontrollë ruajtjen e rendit në veri, kur kjo është kompetencë ekskluzive e organeve shtetërore të rendit e kur misioni i KFOR është ushtarak, është kthim prapa dhe koncesion ndaj Serbisë e me pasoja të rënda për Kosovën.”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij,  kryeministri e ka për detyrë të sqarojë popullin për çdo detaj të kësaj marrëveshjeje dhe urgjentisht të raportojë në Kuvendin e Kosovës.
“Askush nuk ka mandat të nënshkruaj kurrëfarë marrëveshjeje që mund të jetë në kundërshtim me sovranitetin e vendit!”, ka shkruar tutje Haradinaj në facebook.
Në Bruksel sot është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targa pas dy ditësh negociata. Në marrëveshjen e arritur është vendosur që më 2 tetor njësia Speciale e vendosur në Jarinjë e Bërnjak të largohet njëkohësisht me bllokadat në rrugë.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button