Reagon Molliqaj: Targat ilegale KM po pranohen, publikojeni marrëveshjen!

 
Kryetari i Partisë Socialdemokrate(PSD), Dardan Molliqaj, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për targat në Bruksel.
Molliqaj ka kërkuar që të publikohet marrëveshja e arritur sot në mes të Kosovës dhe Serbisë.
“Targat ilegale KM po pranohen! Publikojeni marrëveshjen! Janë dërguar njerëzit në veri. Për çfarë?! Për ta pranuar Qeveria pastaj se pjesa veriore trajtohet ndryshe nga pjesa tjetër e vendit. Ky është instrumentalizim i tmerrshëm, dhe avanturë e rrezikshme. Tash, logjika është ajo e ndarjes etnike e territoriale; rruga është trajtim i segmentuar – marrëveshje pas marrëveshjes; rezultati përfundimtar është Asociacioni me kompetenca ekzekutive”, ka thënë Molliqaj.
Në reagimin e tij në Facebook, Molliqaj ka thënë se Qeverisë nuk i bëhet vonë ta dëmtojë Kosovën, “halli është si të fshehet para publikut. Asgjë ndryshe nuk kemi pritur, por jo kaq shpejt”.
Në Bruksel sot është arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë për targa pas dy ditësh negociata. Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka publikuar edhe marrëveshjen e arritur, në të cilën është vendosur që më 2 tetor njësia Speciale e vendosur në Jarinjë e Bërnjak të largohet njëkohësisht me bllokadat në rrugë.
KFOR-i do të vendoset në Jarinjë e Bërnjak para se të nisë largimi i sinkronizuar dhe do të qëndrojë për dy javë për të mbajtur ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë.
Në pikën 2 të marrëveshjes, nga 4 tetori, ora 8:00, hyn në fuqi regjimi i letrave ngjitëse me të cilat do të mbulohen elementet shtetërore në targat e veturave të Kosovës dhe Serbisë./21Media
 

Back to top button