Australia ia revokon sërish vizën Gjokoviçit

Australia ia revokoi për të dytën herë radhazi vizën tenistit serb, Novak Gjokoviç duke ia pamundësuar që të qëndrojë në vend i pavaksinuar. Ky vendim u mor nga Ministri i Emigracionit, Alex Hawke dhe serbi tani mund të dëbohet nga Australia.
“Sot ushtrova fuqinë time… për të anuluar vizën e mbajtur nga z. Novak Gjokoviç për arsye shëndetësore dhe gjendje të mirë, mbi bazën se ishte në interesin publik për ta bërë këtë gjë” ka thënë ministri në një deklaratë.
Ky vendim do të thotë gjithashtu se serbit mund t’i ndalohet që të marrë një tjetër vizë australiane për 3 vitet e ardhshme.
Megjithatë, 34-vjeçari serb mund të apelojë sërish vendimin në gjykatë.
Gjokoviç nuk po respekton vendimin e shtetit australian që iu kërkon të gjithë shtetasve të huaj që duan të hyjnë në këtë vend që të jenë të vaksinuar, përpos nëse kanë arsye mjekësore për të mos e bërë një gjë të tillë. Gjokoviç nuk është i vaksinuar por, sipas shtetit australian, nuk ka paraqitur as ndonjë arsyetim bindës se pse nuk e ka bërë një gjë të tillë.
Gjokoviç ka thënë se organizatorët e turneut ”Australia Open”, që është edhe arsyeja se pse ai është në Australi, i kishin dhënë një përjashtim nga rregulli për vaksinim pasi kishte qenë i infektuar me COVID në mes të muajit dhjetor.

Back to top button