AUV thotë se nuk ka pranuar kërkesë për trajtimin e qenve endacakë në SHSKUK

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë nuk ka pranuar kërkesë për trajtimin e qenve endacakë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur për rtv21.tv Lamir Thaçi, zyrtar për Informim në AUV.
Thaçi ka thënë se ashtu siç edhe është e përcaktuar me ligj, Komuna e Prishtinës është duke u marrë çështjen e trajtimit të qenve endacakë.
Numri i madh i qenve endacakë në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës është problem serioz tash e sa kohë. Më 22 prill, nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës kanë thënë për rtv21.tv se i janë drejtuar me kërkesë më herët Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, si dhe Komunës së Prishtinës.
“Shpresojmë se Komuna e Prishtinës dhe AUVK do t’i kenë parasysh kërkesat e SHSKUK-së”, kanë thënë nga SHSKUK.
Më 21 prill, tre mjekë janë sulmuar nga qentë endacakë. Dy mjekë janë sulmuar në oborrin e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, kurse një tjetër ka pësuar jashtë kësaj hapësire.
Shkak i sulmit në një parking prapa Klinikës së Ortopedisë, një mjeke ka marrë lëndime në kokë dhe pjesë të tjera të trupit. Ajo është trajtuar në Klinikën Infektive.
Nga Komuna e Prishtinës ditë më parë thanë për RTV21 se asambleja komunale më 28 prill do të shqyrtojë çështjen e lokacionit për qentë endacakë./21Media

Back to top button