“Avatar: The Way of Water’ e arrin shumën e synuar të fitimeve

Vazhdimi i dytë i filmit “Avatar”, i cili shquhet si projekti kinematografik më fitimprurës i të gjitha kohëve, tashmë ka arritur ta nxjerrë investimin nga arkëtimi i të hollave në arkat filmike botërore. Kështu bëri të ditur regjisori, James Cameron.
Para lansimit të filmit të ri, “Avatar: The Way of Water”, ai u shpreh i brengosur rreth rrugëtimit të tij nëpër kinema, duke thënë se ky vazhdim i dytë do të duhej të futet në mesin e katër filmave më fitimprurës në botë, vetëm për t’u barazuar me shumën e të hollave që janë investuar në realizimin e tij.
Fatmirësisht, vetëm 24 ditë pas lansimit, ky projekt është futur në listën e shtatë filmave më fitimprurës.
Shuma totale që “The Way of Water” e ka arkëtuar nga shitja e biletave anembanë botës e kaq shifrën prej 1.7 miliardë dollarësh.
“Duket se me vrullin që ka filmi tani, ne do ta arrijmë shumën e synuar të të hollave në ditët në vazhdim. Kjo nënkupton se nuk do të kem nevojë të largohem nga ky projekt dhe do të më duhet t’i realizojë edhe vazhdimet tjera të planifikuara. Pra, tashmë e di se çfarë do të jem duke punuar në gjashtë apo shtatë vjetët e ardhshme”, tha regjisori gjatë një interviste për emisionin, “Who’s Talking to Chris Wallace?”.
Cameron kishte konfirmuar tashmë se “Avatar 3” do të dilte në kinema në vitet e ardhshme, pavarësisht nga suksesi i filmit të parë dhe vazhdimit të dytë. Në fakt, te dy projektet, “The Way of Water” dhe ‘Avatar 3’, janë xhiruar në të njëjtën kohë. Por, tani duket se edhe vazhdimi i katërt dhe ai i pestë do të realizohen sipas planit.
“Kryesorja është që do të jemi në rregull nga ana financiare. Jam i sigurt se së shpejti do të diskutojmë me shefat e studios ‘Disney’ rreth planit për të vazhduar me lansimin e ‘Avatar 3”, i cili tashmë është xhiruar plotësisht dhe është në fazën e post-produksionit dhe vendosjen e efekteve vizuale. Po ashtu skenarët e vazhdimeve katër dhe pesë janë përfunduar. Rëndësi ka që kjo sagë tashmë ka filluar, dhe nga ajo do të dalin disa filma të mëdhenj”.
“The Way of Water” fokusohet në personazhet, Jake Sully, Neytiri dhe fëmijët e tyre, si dhe zë vend 13 vjet pas ngjarjes së filmit të parë të lansuar në vitin 2009. Duke qenë të gatshëm ta marrin çdo masë të nevojshme për ta mbrojtur njëri-tjetrin, ata duhet të luftojnë për të qëndruar gjallë dhe për ta përballuar tragjedinë, në një luftë për një të ardhme më të mirë.
Përveç filmave “Avatar”, James Cameron e ka bërë regjinë edhe të projekteve tjera të suksesshme si, “The Terminator”, “Aliens” dhe “Titanic”. Gjatë karrierës së tij ai i ka fituar edhe tri shpërblime “Oscar”.

Back to top button