Bacën Adem përherë do ta kujtojmë – Lavdi jetës dhe veprës së tij

 

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së aktorit Adem Mikullovci. Thaçi ka përkujtuar kontributin e Mikullovcit në kulturë e politikë .

“Sot qenka ndarë nga jeta aktori i njohur Adem Mikullovci. Edhe si aktor, edhe si delegat që votoi Deklaratën Kushtetuese më 2 korrik dhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, por edhe si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, ai gjithnjë ishte në shërbim të interesit publik dhe vendit tonë. Kontributi i tij në art, kulturë dhe politikë do të kujtohet përgjithmonë. Ngushëllime familjes Mikullovci dhe të gjithë artdashësve, miqve dhe të afërmve të tij!”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti , në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka shprehur ngushëllime familjes Mikollovci dhe të gjithë komunitetit të artistëve.

Ai ishte përherë pjesë e gëzimeve dhe festave në familjet tona. Me veprat e tij artistike dhe dashurinë që kishte ndaj të bukurës, ai ka lënë një trashëgimi të shkëlqyer në artin dhe kulturën tonë.Ai do të mbetet përherë frymëzim edhe për brezat e rinj, për artin por edhe për atdhedashuri. Përveç që ishte një artist i shkëlqyer, ai ishte edhe një atdhetarë i pashoq. Bacën Adem përherë do ta kujtojmë edhe si njërin prej delegatëve të Kuvendit të Kosovës nga vitet 1990 – 92, kur u shpall deklarata Kushtetuese dhe ajo e Pavarësisë së Kosovës.”  ka shkruar ai.

Familjen Mikullovci e ka ngushëlluar, ministrja e Kulturës dhe Rinisë, Vlora Dumoshi. “Me pikëllim dhe me mërzi të madhe e mora lajmin për ndarjen nga jeta e të dashurit tuaj, krenarisë tonë artistike, aktorit, skenaristit e regjisorit tonë të madh, bacës Adem”, ka thënë Dumoshi. Ne telegram ngushëllimi Dumoshi ka thënë se Adem Mikullovci ka qenë dhe do të mbetet shembull dhe pikë orientuese në historinë e artit të aktrimit shqiptar por edhe më larg.

Aktori i njohur, Adem Mikullovci u nda nga jeta në moshën 83 vjeç në orët e para të 15 shtatorit./21Media

Back to top button