Bajrami dhe Orlando diskutuan për bashkëpunimin në ekonomi dhe financa

 

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, priti sot në takim ambasadorin italian në Prishtinë, Nicola Orlando, me të cilin bisedoi në lidhje me fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Italisë në fushën e ekonomisë dhe financave.

Bajrami e njoftoi ambasadorin Orlando për situatën ekonomike dhe makrofiskale në vendin tonë dhe për efektet e shkaktuara nga pandemia. Ajo i shpjegoi diplomatit italian veprimet dhe aktivitetet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në funksion të zbatimit të masave që derivojnë nga programi për Rimëkëmbje Ekonomike.

Nga ana tjetër, ambasadori Orlando konfirmoi se Italia është e angazhuar për të ndihmuar Kosovën në tejkalimin e situatës së përgjithshme të krijuar nga pandemia COVID-19 si dhe shprehu interesimin e shtetit italian për rritjen e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy vendeve.

Palët u dakorduan që të intensifikojnë bashkëpunimin ndërshtetëror në drejtim të krijimit të një mjedisi të përshtatshëm, i cili do të inkurajonte shtimin e investimeve nga kompanitë italiane në Republikën e Kosovës.

Back to top button