Barrikadat në veri, nuk dihet nëse po zhvillohen hetime

Prokuroria Speciale nuk dihet nëse ka filluar hetimet për 16 barrikadat që ishin vendosur në veri të vendit në dhjetorin e vitit të kaluar. Informacione në lidhje me këtë, nuk ka ekzekutivi e as legjislativi.

Deputetët e pushtetit dhe opozitës thonë se personat e përfshirë në pengimin e rrugës dihen dhe se deri më tani do të duhej të nisnin hetimet. Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se Agjencia e Kosovës për Inteligjencë ka dërguar dëshmi e fakte, por nuk ka ende aktakuzë.

Kp ka adresuar pyetje në Prokurorinë Speciale, për çka ka pritur me javë përgjigje dhe një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Informacion të tillë nuk ka as Komisioni për Siguri, për çka deputeti i shumicës, Mefail Bajqinovci, kritikon Prokurorinë Speciale.

“As zyrtarisht, e as jo zyrtarisht e as në media nuk ka qenë që Prokuroria Speciale ka nisur ndonjë hetim apo edhe e ka arrestuar dikë për pengim të personave zyrtarë dhe bllokim të rrugëve në veriun e Kosovës, në Mitrovicë dhe në disa qytete andej. Deri më sot krejt çfarë kemi parë është që kur ka ndonjë problem brenda institucioneve tona, Prokuroria jonë e arreston menjëherë nëse ka nevojë policin tonë, kurse kur jemi tek barrikadat, tek njerëzit të cilët e kanë penguar dhe kanë gjuajtur në drejtim të policisë dhe kanë bërë rrezikim të jetës, nuk kemi asnjë informatë dhe nuk kemi as arrestim, e as hetim, e as asgjë hiç”, tha Bajqinovci.

Këto organizime të serbëve në veri të vendit, siç shprehet Bajqinovci, janë të orkestruara nga Lista Serbe.

Edhe deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj shprehet se personat të cilët kanë penguar lëvizjen në veri, përmes barrikadave kanë qenë të armatosur.

“Nuk kemi ndonjë informatë në lidhje me nisjen eventuale të hetimeve, në lidhje me personat që kanë bllokuar rrugët për një kohë të gjatë. Personat që edhe nëpërmjet mediave elektronike e kemi parë që kanë qenë të armatosur dhe personat të cilët thjesht e kanë bërë kufizimin e lëvizjes, sidomos për Policinë e Kosovës. Personat e përkrahur nga Lista Serbe, nga shteti i Serbisë dhe nga strukturat atje të kriminalizuara. Ju e dini që ka qenë një marrëveshje e fshehtë mes Qeverisë së Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar dhe Qeverisë së Serbisë për tërheqjen e këtyre barrikadave. Po ashtu, ne si PDK kemi shprehur zhgënjimin tonë dhe po ashtu shqetësimin tonë në lidhje me këtë marrëveshje dhe në lidhje me një amnistie që iu është bërë personave që kanë qenë në ato barrikada”, shprehu Qalaj.

Më tej, ish-drejtori i Policisë së Kosovës deklaron se është detyrë e Drejtorisë së Inteligjencës dhe AKI-së, të sigurojë fakte në lidhje me këtë çështje.

“Është detyrë edhe Drejtorisë së Inteligjencës së Policisë së Kosovës edhe AKI-së, që të sigurojnë sa më shumë fakte, për të gjithë ata që kanë qenë në ato barrikada. Por, realisht ju keni parë edhe një deklarim nga faktori ndërkombëtar, i cili ato barrikada i ka quajtur paqësore, krejtësisht e papranueshme. Meqë të gjithë e dinë që ato barrikada kanë qenë me njerëz të armatosur, me të kaluar kriminale, me njerëz nga shërbimet e Serbisë, njerëz që kanë ardhur nga jashtë Kosovës që thjesht kanë bërë kërcënimin edhe fizik të pjesëtarëve të PK-së”, shtoi ai për KosovaPress.

Për mosfillimin e hetimit në lidhje me barrikadat ka folur edhe kryeministri Albin Kurti. Ai ka thënë se është informuar nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, se kanë dërguar fakte e dëshmi për shkeljet e panumërta që janë bërë në veri të Kosovës.

“Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë pa numër dëshmi, pa numër fakte, i ka dërguar prokurorisë gjatë muajit dhjetor dhe janar, për 16 barrikadat e strukturave paralele në veri të Kosovës. Asnjë aktakuzë. Si është e mundur që Agjencioni i Kosovës për Inteligjencë i dërgon aq shumë fakte prokurorisë tonë dhe ajo nuk vepron kundrejt atyre të cilët në mënyrë kriminale, me uniforma të zeza, në lidhje me vagnerin rus të dirigjuar nga Beogradi, i vendosën barrikadat, ndërkohë që prapa tyre ishin të armatosur. Asnjë aktakuzë”, shprehu ai.

Në dhjetor të vitit të kaluar, disa grupe të serbëve kishin ngritur barrikada në veri të Kosovës për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit, Dejan Pantiq.

Back to top button