Basha: Kosova ka të drejtën për reciprocitet si shtet

Pasi Kosova ka vendosur masë reciprociteti ndaj Serbisë për targa të automjeteve, reagoi edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha.
Ai në një postim në Twitter tha se gjuha kërcënuese e Beogradit i përket së kaluarës dhe si e tillë ajo nuk mund të kthehet. Sipas tij, Kosova ka të drejtën për reciprocitet si shtet.

“Kosova është shtet i pavarur dhe marrëdhëniet mes dy shtetesh sovrane funksionojnë mbi baza reciprociteti. Kjo është e drejtë e patjetërsueshme e Kosovës. Sa më shpejt ta kuptojë këtë Beogradi aq më mirë do të jetë për Serbinë dhe për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit”, shkroi Basha.

Të hënën, autoritetet kosovare nisën me zbatimin e kësaj mase. Si pasojë qytetarë serbë nisën të protestojnë duke bllokuar rrugët që çojnë në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinjë në veri të Kosovës/21Media

Back to top button