Baza ligjore për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i tha RTV21 se kthimi i të gjithë punonjësve të komunitetit serbë në institucionet e Kosovës duhet të bëhet bazuar në ligji dhe kushtetutë. Ai tha se kthimi duhet të jetë i ngjashëm si edhe kthimi i deputetëve të komunitetit serb në Kuvendin e Kosovës. Përfaqësuesit politikë e institucionalë të serbëve të Kosovës dhanë dorëheqje nga të gjitha institucionet e Kosovës, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për një masë të shkallëzuar për çështjen e targave.
“Kryeministri Kurti u ka bërë thirrje të vazhdueshme serbëve lokalë që mos të braktisin dhe bojkotojnë institucionet e vendit. Megjithatë, një numër i tyre, si akt individual dhe politik, kanë dhënë dorëheqje nga institucionet duke i braktisur ato. Tash e tutje, kthimi i tyre është çështje ligjore, kushtetuese e institucionale që parashihet në secilin prej institucioneve përkatëse. Shembull ka qenë rasti i kthimit të deputetëve të komunitetit serb në Kuvend, siç e parashihte ligji dhe kushtetuta”, tha Kryeziu.
Rreth 600 pjesëtarë të policisë së Kosovës të komunitetit serbë dhanë dorëheqje pasi Qeveria e Kosovës mori vendim për pezullim nga detyra të drejtorit për veriun, Nenad Gjuriq, që refuzoi të zbatonte vendimin për targat. Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ndërkohë tha se policët e komunitetit serb që kanë dhënë dorëheqje mund të kthehen në punë me një vendim të Qeverisë.
“Stacionet policore nuk munden dhe nuk duhet të mbesin pa policë dhe në rast se nuk ka vullnet të kthimit të tyre, mendoj që Drejtoria e Përgjithshme e Policisë dhe Ministria e Brendshme duhet që atje të rrisin sa më shumë prezencën e policisë në mënyrë që të ofrohet siguri edhe për atë pjesë… “, tha Qalaj.
Dorëheqjet janë dhënë edhe në sistemin e drejtësisë me gjykatës dhe prokurorë të komunitetit serb që lanë detyrat e tyre. Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se pjesëtarët e komunitetit serb, mund të kthehen në pozitat e tyre, sepse procedurat ligjore për shkarkimin e tyre janë ende në vazhdim.
“Ende ka hapësirë që gjyqtarët dhe prokurorët serb të kthehen në Gjykatat dhe Prokuroritë ku ata kanë ushtruar funksionet e tyre”, tha Lavdim Makshana nga IKD.
Megjithatë me bazë ligjore ekziston mundësia që punëtorët serb të përballen me masa disiplinore për shkak të veprimeve të tyre, tha Makshana.
“Do të duhej të iniciohej procedura disiplinore ndaj anëtarit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në radhët e komunitetit serb, por edhe ndaj kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë. Të njëjtit kanë mbajtur fjalime, apo kanë marr pjesë në tubime, ku është folur për dorëheqjet e gjyqtarëve dhe prokurorëve serb”, tha Makshana.
Megjithëkëtë, kërkesa e përfaqësuesve të serbëve të Kosovës për kthim në Institucione është e ndërlidhur me kërkesa politike, përfshirë atë për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe./21Media

Back to top button