BBC: Bandat shqiptare të drogës joshin emigrantët në Britani

Bandat shqiptare të drogës po përdorin kampet e emigrantëve në Francën veriore si një terren rekrutimi, duke ofruar pagesën e kalimit për ata që janë të gatshëm të punojnë në industrinë e drogës në Britaninë e Madhe, pas mbërritjes. Kështu e nisi shkrimin e saj BBC për joshjen e emigrantëve nga bandat shqiptare.
BBC raporton se shqiptarët përbëjnë rreth një të tretën e pothuajse 40 mijë njerëzve që kanë mbërritur me varka të vogla deri më tani këtë vit, sipas shifrave të Qeverisë së Britanisë.
Zyrtarët e lartë të policisë dhe emigracionit në të dy anët e Kanalit janë të shqetësuar nga rritja e rolit të ndërmjetësve shqiptarë në lehtësimin e kalimeve.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka akuzuar Britaninë e Madhe se i ka dhënë të drejtën bashkëqytetarëve të tij për të justifikuar “politikat e dështuara” të saj për kufijtë dhe migracionin.
BBC thotë se ka parë sesi qytetet pranë Tiranës kanë mbetur thuajse bosh dhe sa shumë të rinj shqiptarë po joshen drejt bregdetit francez.
Në qytetin francez të Dunkirkut këtë verë, dëshmitarët okularë thonë se shqiptarët pushtuan një pjesë të kampit kryesor të emigrantëve atje. Dhe hotelet e vogla përreth stacionit, si “Hotel Bretagne” dhe “Le Lion d’Or”, tani janë të mbushura me migrantë shqiptarë dhe kanë krijuar vende të posaçme për ta.
Janë disa vende ku ndërmjetësit shqiptarë presin për klientë, duke vepruar si një lidhje kyçe për kalimin me anije të vogla.
“Në Francë, ka njerëz që të presin”, tha një shqiptar, pasi arriti në Britaninë e Madhe me një varkë të vogël këtë verë. “Të gjithë në botë e dinë se ku të drejtohen, nëse doni të shkoni në Angli”.
Nga rruga jashtë stacionit të Dunkirkut, shihet Kevi në dritaren e dhomës së tij në katin e dytë në hotelin “Le Lion d’Or”, teksa pi një cigare. Një ardhje e re nga Shqipëria, 20 vjeçar, plot energji për udhëtimin në vazhdim.

Pas vetëm disa ditësh këtu, ai tashmë ka gjetur dikë që të organizojë kalimin e tij dhe pret thirrjen për t’u larguar.

“Moti nuk është i mirë. Duhet të presim ndoshta edhe dy ditë të tjera,” thotë ai.

Për shtetasit shqiptarë si Kevi, arritja në Francën veriore është e lehtë, ata kanë të drejtë të hyjnë në BE si turistë deri në tre muaj pa vizë, shkruan tutje BBC

Shumica mbërrijnë me autobus ose makinë, të nxitur nga reklamat në mediat sociale që premtojnë ndihmë nga ndërmjetësit në terren në Bruksel, Paris, Calais ose Dunkirk.

Duke u paraqitur si një emigrant shqiptar, nga BBC u kontaktuan dy kontrabandistë që reklamonin klientë në platformën e ndarjes së videove TikTok.

Të dy u përgjigjën brenda gjysmë ore, me opsione për të paguar për në Francë ose në Angli, dhe udhëzime për të shkuar në Belgjikë ose Francë, ku një ndërmjetëse do të vinte kontakt. Mesazhi i të dyve ishte: “Është e lehtë”.

Një zyrtar i lartë francez, i fokusuar në këtë fushë, konfirmoi se shqiptarët aktualisht po luajnë rolin e ndërmjetësve, duke lidhur emigrantët shqiptarë me bandat e kontrabandës irako-kurde.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar thotë se 12 mijë shqiptarë kanë mbërritur me varka të vogla këtë vit, pothuajse të gjithë të rinj që udhëtojnë vetëm./21Media

Back to top button