BE e zhgënjyer me Kosovën që nuk dëgjoi partnerët nga BE dhe SHBA

Bashkimi Evropian tha të martën se është i zhgënjyer se Qeveria e Kosovës nuk ka ndjekur këshillat e partnerëve të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në, për ofrimin e një periudhe më të gjatë tranzicioni për targat.
Zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali, i tha RTV21 se të dy palët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive për një zgjidhje pa vonesa, në përputhje me marrëveshjet e dialogut.
Deklarimi i BE-së erdhi në ditën kur ka nisur zbatimi i vendimit të shkallëzuar të Qeverisë së Kosovës për çështjen e targave.
“Siç thuhet qartë në deklaratën e BE-së, edhe pse vendimi është një hap në drejtimin e duhur, ai nuk është në përputhje me Marrëveshjet e Dialogut, të cilat janë të detyrueshme për të dyja palët. Kosova duhet të lejojë një periudhë më të gjatë tranzicioni. Kjo ka qenë këshilla e vazhdueshme e partnerëve më të afërt të Kosovës, përfshirë BE-në dhe SHBA-në. Është zhgënjyese të shohësh se nuk është ndjekur. Është e domosdoshme ruajtja e qetësisë. Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ushtrojnë përmbajtje dhe të shmangin çdo veprim apo retorikë që mund të rrezikojë stabilitetin në terren, veçanërisht në veri të Kosovës. BE-ja do të vazhdojë, së bashku me partnerët e saj, të angazhohet si me Kosovën ashtu edhe me Serbinë. Ne presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim për të gjetur një zgjidhje pa vonesa të mëtejme, në përputhje të plotë me Marrëveshjet e Dialogut”, tha zëdhënësja e BE-së, Nabila Massrali për RTV21./21Media

Back to top button