BE-ja do ta finalizojë opinionin javën e ardhshme për anëtarësimin e Ukrainës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se ekzekutivi i saj do të finalizojë opinionin nëse Ukrainës duhet t’i jepet statusi i kandidatit për t’u bashkuar me BE, “deri në fund të javës së ardhshme”.
“Diskutimet e sotme do të na mundësojnë të finalizojmë vlerësimin tonë deri në fund të javës së ardhshme”, i tha ajo presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë një konference të përbashkët shtypi në Kiev, shkruan BBC.
Von der Leyen, në udhëtimin e saj të dytë në Kiev që nga fillimi i luftës, i kujtoi Zelenskyt se, megjithë përparimin në reformat administrative dhe gjetkë, duhet ende shumë për të bërë. “Ju keni bërë shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por atje ka ende nevojë që të zbatohen reforma, për shembull për të luftuar korrupsionin”, tha ajo në konferencën e përbashkët për shtyp.
Ukraina filloi procesin e aplikimit për anëtarësim në BE në shkurt të këtij viti, katër ditë pas pushtimit. Normalisht u duhen vite që vendet të negociojnë anëtarësimin në BE, me kandidatët që duhet të dëshmojnë se plotësojnë kritere të shumta – nga respektimi i demokracisë dhe sundimit të ligjit deri te të pasurit një ekonomi mjaft të fortë.
Zelensky ka sugjeruar që BE të përdorë një procedurë të veçantë për t’i dhënë Ukrainës anëtarësimin e menjëhershëm në bllok.
Ukraina po përballet me agresionin rus që nga data 24 shkurt./21Media

Back to top button