Deputeti belg këmbëngul se ndërtimi i burgut në Kosovë është i mundur

Deputeti i partisë opozitare belge Aleanca e Re Flamane (N-VA), Theo Francken, ka thënë se ndërtimi i një burgu në Kosovë për t’i dërguar emigrantët e paligjshëm është i mundur.

Francken e hodhi idenë e ndërtimit të një burgu në Kosovë javën e kaluar. Kryeministri i Belgjikës, Alexander De Croo, e pati quajtur “ide të çmendur”.

Në Belgjikë më 9 qershor do të mbahen zgjedhjet federale. Siguria është një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me drogën.

“Është e mundur. Socialistët në Danimarkë po e bëjnë, ata kanë marrëveshje me Kosovën dhe do të zbatohet në muajt në vijim. Për mua, është e qartë që ne duhet ta kopjojmë këtë marrëveshje sepse kemi pak a shumë 3 mijë emigrantë të paligjshëm në burgjet tona, njerëz që nuk kanë leje qëndrimi në Belgjikë”, ka thënë Francken për “RTL-in” belg.

Danimarka do t’ia paguajë Kosovës 210 milionë euro gjatë 10 vjetëve për të akomoduar rreth 300 të burgosur që janë kapur duke qëndruar ilegalisht në shtetin nordik. Marrëveshja është duke pritur ratifikimin në Kuvendin e Kosovës.

Back to top button