BE-ja e konsideron antikushtetues emërimin e Rashiqit ministër

Bashkimi Evropian vlerëson se emërimi i Nenad Rashiqit – ministër për Kthim dhe Komunitete, një ditë më parë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë të premten në një konferencë për media se është e rëndësishme që emërimet e ministrave të jenë në përputhje me aktin më të lartë juridik të Kosovës.
“Është shumë e rëndësishme që të gjitha emërimet e ministrave të jenë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës. U bëjmë thirrje autoriteteve në Kosovë që të sigurojnë respektimin e Kushtetutës. Sipas leximit tonë preliminar, ky emërim nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”, ka thënë Stano.
Stano ka shtuar se vendet e BE-së vazhdojnë t’u bëjnë thirrje Kosovës e Serbisë që të evitojnë veprimet që mund të çojnë në përshkallëzim të situatës në Kosovë.
“Situata e sigurisë në terren është e brishtë dhe duhet të punohet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës”, ka thënë Stano.
Serbia e ka konsideruar shkelje vendimin e Kurtit duke thënë se Rashiqi nuk përfaqëson serbët e Kosovës.
Pozita në të cilën është emëruar Rashiqi, deri në fillim të nëntorit mbahej nga Goran Rakiq, i cili ka dhënë dorëheqje për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për të riregjistruar targat ilegale serbe në veri të Kosovës.
Për këtë arsye dorëheqje nga institucionet e Kosovës kanë dhënë edhe zyrtarë tjerë serbë nga veriu.
 

Back to top button