BE jep 50 milionë euro të tjera ndihmë humanitare për Ukrainën

Bashkimi Evropian (BE) ka njoftuar 50 milionë euro shtesë në fonde humanitare për të mbështetur civilët e prekur nga pushtimi rus në Ukrainë.
“Ky financim i ri do të adresojë nevojat më urgjente humanitare”duke ofruar shërbime mjekësore emergjente, qasje në ujë të pijshëm të sigurt, strehim dhe mbrojtje, ndihmë me para dhe mbështetje kundër dhunës me bazë gjinore”, thuhej në njoftimin e BE-së.
Fondi total i ndihmës humanitare të BE-së në përgjigje të luftës mbërrin në 143 milionë euro.
“Me miliona njerëz në lëvizje ose të bllokuar në zonat aktive të luftës, nevojat në Ukrainë janë tashmë masive.  Tani, ne duhet të përgatitemi për një rritje të mëtejshme të sulmeve të pamëshirshme të Rusisë ndaj Ukrainës, veçanërisht në lindje. Me këto 50 milionë euro shtesë, BE-ja vazhdon me shpejtësi të vërë në dispozicion fonde humanitare për partnerët e saj në mënyrë që të rrisë më tej ndihmën. Do të ndihmojë njerëzit në zonat e vështira për t’u arritur, të cilëve u është ndërprerë aksesi në kujdesin shëndetësor, ujë dhe energji elektrike, dhe ata që janë detyruar të ikin dhe të lënë gjithçka pas. Ukrainë, ne jemi me ju”, ka thënë Komisioneri i BE-së për menaxhimin e krizave, Janez Lenarcic./21Media

Back to top button