Berisha për dekretin e Metës: Jashtë territorit nuk ka dekret

Ish-kryeministri Sali Berisha nga ambientet jashtë Kuvendit të Shqipërisë, u shpreh se në të drejtën kushtetuese evropiane presidenti e humbë fuqinë për të miratuar dekrete kur del jashtë vendit.
Derisa në Kuvend votohej për Bajram Begajn, kandidat për president të propozuar nga Partia Socialiste në Shqipëri, Berisha së bashku me deputetët që e mbështesin la sallën, pasi u tha se në seancë nuk do të ketë fjalime.
Ai u tha mediave se u largua nga kuvendi sepse donte ta bënte këtë deklaratë, por sipas tij, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla po përdor parlamentin si dyqanin e saj nuk na lejojë.
“Kandidati që votohet sot nis udhën e tij duke shkelmuar me të dyja këmbët Kushtetutën, pasi ai kandidon për president si shef i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare. Pretendimi se ai dha dorëheqjen ka zero vlerë për arsye se për ushtarakun, jo tërheqja, por miratimi dhe lirimi i tij nga detyra nga Komandanti i Përgjithshëm është rruga që e çliron atë nga obligimet ushtarake. Pra, akti i dorëheqjes së tij është tërësisht i pavlerë”, tha ai.
Derisa foli edhe për dekretin e presidentit Ilir Meta me të cilin Bajram Begaj lirohej nga detyra.
“Kjo procedurë është një procedurë shumë e rrezikshme për vendin, sepse kjo i hap shteg që çdo shef shtabi të aspirojë të kapë kreun e shtetit duke shfrytëzuar këtë precedent. I cili në rastin konkret flitet se Edi Rama është korruptuar me pronat e bazave të ushtrisë, në rastet e tjera një shef tjetër shtabi mund të korruptojë, mund të marrë peng kryeministrin e një vendi edhe në dhunën e ushtrisë dhe forcës së saj, me këtë precedent, kreun e shtetit. Në një rast që s’ka ndodhur kurrë në historinë e botës së vendeve të lira, ndodh për herë të parë në narkoshtetin shqiptar…Vijmë te dekreti i presidentit Meta. Presidenti humbet fuqinë e dekreteve kur është jashtë territorit. Jashtë territorit nuk ka dekret. Mund t’i referohesh edhe të drejtave kushtetuese por sipas të drejtës kushtetuese europiane nuk lëshon dekret jashtë vendit pasi kur je jashtë vendit, kryetari i shtetit është kryetari i parlamentit”, tha ai.
Kurse, kur është pyetur nëse procesin do ta ankimon në Gjykatë Kushtetuese, Berisha tha se edhe në këtë gjykata ka kontroll absolut ekzekutivi.
Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur sot Bajram Begajn president të Shqipërisë. Begaj ishte propozuar dje si kandidat për president nga Partia Socialiste dhe në seancën e Kuvendit është zgjedhur si president me 78 vota pro, 4 kundër dhe një abstenim.

Back to top button