BERZH investoi 1.63 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor më 2023, prej tyre 81 milionë në Kosovë

Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) nënvizoi angazhimin e saj të fortë në rajonin e Ballkanit Perëndimor në vitin 2023 me investime rekord prej më shumë se 1.63 miliardë euro në 100 projekte. Kjo pason një total prej 1.28 miliardë eurosh në 2022.

BERZH ka financuar në Kosovë 81 milionë euro përmes 16 projekteve, ku pjesa më e madhe i drejtohet sektorit privat dhe pothuajse gjysma e totalit të financimit për projektet e gjelbra.

BERZH nënshkroi projekte me vlerë 51 milionë euro për institucionet financiare, kryesisht për financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përfshinin një instrument inovativ të Garancisë për Rritje me vlerë 20 milionë euro.

Një pjesë e konsiderueshme e mjeteve është zotuar për të adresuar nevojat e sektorit publik në Kosovë, me 20 milionë euro për ndërtimin e një impianti të ri për trajtimin e ujërave të zeza në qytetin e Ferizajt, për parandalimin e ndotjes dhe uljen e emetimeve të gazrave serrë.

Në Shqipëri, BERZH investoi 146 milionë euro financime të reja nëpërmjet 23 projekteve, me theks të veçantë në sektorin privat dhe energjinë e rinovueshme. Ndërsa në Bosnje dhe Hercegovinë, BERZH nënshkroi një total prej 218 milionë euro investime të reja nëpërmjet 15 projekteve në 2023.

BERZH financoi 80 milionë euro në Mal të Zi dhe mobilizoi 25 milionë euro për të mbështetur investimet publike dhe private, për të cilat financat e gjelbra përbënin 79 për qind.

Në Maqedoninë e Veriut, BERZH investoi 259 milionë euro përmes 17 projekteve në vitin 2023, shumica e të cilave ishin në ekonominë e gjelbër. Përtej investimeve, BERZH ndihmoi Maqedoninë e Veriut të hartojë dhe lansojë Platformën e Investimeve të Tranzicionit të Drejtë Energjisë në COP28, një moment historik për vendin historikisht të varur nga qymyri, për të ndihmuar në heqjen e qymyrit dhe instalimin e 1.7 GW energji të rinovuar deri në vitin 2030.

Serbia mori financim rekord prej 846 milionë euro, duke e bërë atë tregun e pestë më të madh të BERZH-it vitin e kaluar. Energjia ishte në qendër të vëmendjes, me një paketë financiare prej 300 milionë eurosh.

Ndryshe, deri më sot, BERZH ka investuar më shumë se 18 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor, shumica e të cilave ka mbështetur sektorin privat. Ballkani Perëndimor është një rajon prioritar për BERZH-in, ku mbetet investitori më i madh institucional.

Back to top button