Betohet sot kryetari i ri i Gjilanit, Alban Hyseni

Sot do të bëhet pranim-dorëzimi i detyrës së kryetarit të Komunës së Gjilanit. Lutfi Haziri do t’ia dorëzoj mandatin e kryetarit, Alban Hysenit.
Mbledhja inauguruese e Kuvendit të ri Komunal të Gjilanit do të mbahet sot me të filluar në ora 10:00, ku edhe do të betohet kryetari i ri, Alban Hyseni dhe asamblistët e rinj.
Pas pranimit të detyrës së kryetarit, Hyseni në ora 15:00 do të bëjë homazhe tek varrezat e dëshmorëve.
Hyseni në raundin e dytë të zgjedhjeve të mbajtura më 14 nëntor, mposhti kundërkandidatin e tij nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Lutfi Hazirin.
Në raundin e dytë të zgjedhjeve, Hyseni mori besimin e 21 mijë e 800 qytetarëve gjilanas apo 51,10% të votave.
Kurse kundërkandidati i tij, Haziri mori 20 mijë e 865 vota apo 48.90%.
Kujtojmë që Hyseni e Haziri ishin në garë të ngushtë në raundin e parë të zgjedhjeve.
Megjithatë, Hyseni edhe në raundin e parë, pra më 17 tetor kishte më së shumti vota. Ai arriti të fitojë besimin e 19 mijë e 57 qytetarëve, ndërsa Haziri kishte marrë besimin e 18 mijë e 546 qytetarëve.
E ditë më parë Hyseni dha dorëheqje nga posti i deputetit të Kuvendit të Kosovës.
“Sot firmosa dokumentin e dorëheqjes nga pozita e deputetit. Ju faleminderit të gjithë kolegëve pa dallime partiake, për bashkëpunimin gjatë kësaj periudhe. Tani na presin detyra të reja dhe hapjen e një kapitulli të ri për Komunën e Gjilanit”, shkroi Hyseni në “facebook”.
Haziri u pasua nga kandidatja për kryetare të Gjilanit, nga radhët e Partisë Demokratike, Leonora Bunjaku, që mori 3 mijë e 518 vota.
Kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Nazim Gagica arriti të sigurojë 1 mijë e 42 vota.

Back to top button