Bibliotekat e fakulteteve në UP me mangësi të shumta

Bibliotekat e fakulteteve në Universitetin e Prishtinës nuk janë të furnizuara me literatura bashkëkohore, por nuk kanë as kompjuter, printer, skaner, fotokopjues, e disa prej tyre as internet. Kurse, sallat e leximeve të fakulteteve të UP-së i kanë pasur një ulëse për 50 studentë.
Kështu u tha në forumin e diskutimit “Bibliotekat e fakulteteve të Universitetit të Prishtinës”, të organizuar nga organizata ADMOVERE.
Qëllimet e raportit kanë qenë evidentimi i gjendjes në biblioteka dhe salla të leximit të fakulteteve të UP-së, ku sipas gjetjeve, rezulton se bibliotekat nuk janë në gjende të mirë sa i përket furnizimit me literaturë, regjistrimit të literaturës, gjendjes së sallave të leximit në falultete dhe hapsirave.
Nuhi Sadiku nga organizata joqeveritare Admovere, ka shpalosur disa nga gjetjet që i kanë realizuar nga disa intervista me bibliotekistët e fakulteteve dhe nga analiza e raportit të fundit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim. Sipas tij, këto gjetje janë shqetësuese, pasi bibliotekat kanë qenë të mangëta e disa prej tyre edhe të mbyllura.
Mimoza Ibrani, prorektore për mësimdhënie dhe çështje të studentëve në Universitetin e Prishtinës tha se Universiteti i Prishtinës përmes donatorëve ndërkombëtare ka siguruar qasje në bibliotekën elektronike, abonim i cili është parapaguar për kohëzgjatjen 2021-2023, ndërsa ka shtuar se nëse krahasohet UP me universitetet e tjera ndërkombëtare, ka një buxhet shumë të limituar.
Bukurije Haliti, koordinatore e Bibliotekës Qendrore Universitare, tha se janë tri projekte që janë mbështetur nga Ambasada Amerikane nëpërmjet Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, të hartuara në bashkëpunim me bibliotekën qendrore universitare të UP-së, e gjitha kjo të afektojë në gjithë sistemin e bibliotekave në Kosovë, projekti i rrjetit të bibliotekave të Kosovës, projekti i bibliotekës digjitale dhe projekti i programit kombëtar të arsimimit bibliotekar.

Back to top button