Biden për sulmin në Kabul: Do t’ju gjuajmë dhe do t’ju bëjmë të paguani

Presidenti amerikan, Joe Biden foli për sulmin vdekjeprurës ndaj forcave amerikane dhe civilëve afganë në aeroportin e Kabulit.
Presidenti tha se situata në terren është ende duke u zhvilluar dhe vazhdimisht është duke u njoftuar.
Ai labdëroi ushtarët e rënë, të cilët ai thotë se ishin angazhuar në një mision të rrezikshëm për të shpëtuar jetën e të tjerëve, transmeton rtv21.tv.
Biden thotë se amerikanët ndjejnë dhembje për të gjitha familjet afgane që humbën njerëz, përfshirë fëmijë, në këtë sulm.
“Ne jemi të zemëruar dhe zemërthyer”, tha ai.
“Ne do të përfundojmë misionin tonë dhe do të vazhdojmë, pasi trupat të tërhiqen, të përcaktojmë mjetet me të cilat mund të gjejmë çdo amerikan që dëshiron të dalë nga Afganistani. Ne do t’i gjejmë dhe do t’i nxjerrim jashtë”.
Biden tutje u shpreh se Amerika nuk do të harrojë dhe nuk do t’i falë sulmuesit.
“Ne nuk do të falim. Ne nuk do të harrojmë. Ne do t’ju gjuajmë dhe do t’ju bëjmë të paguani”, ka theksuar Biden.
Ai lë të kuptohet se sulmuesit mund të kenë ardhur nga burgjet që u hapën nga talebanët gjatë pushtimit të tyre rrufe të Afganistanit.
Biden gjithashtu i referohet grupit terrorist ISIS i cili ka marrë përgjegjësitë për sulmet.
“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Ne nuk do të ndalojmë misionin. Ne do të vazhdojmë evakuimin,” thotë ai, duke shtuar se SHBA do të hakmerret kundër sulmuesve të sotëm./21Media

Back to top button