Biden vendos sanksione ndaj prodhuesve të Nord Stream

Shtëpia e Bardhë njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj prodhuesve të gazsjellësit Nord Stream 2 që lidh Rusinë dhe Gjermaninë.
“Sot, kam urdhëruar administratën time që të vendosë sanksione ndaj Nord Stream 2 AG dhe oficerëve të saj të korporatës”, tha presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden, në një deklaratë, përcjellë rtv21.tv
“Këto hapa janë një pjesë tjetër e këstit tonë fillestar të sanksioneve në përgjigje të veprimeve të Rusisë në Ukrainë”, shtoi presidenti amerikan.
Siç raporton BBC, projekti prej 10 miliardë eurosh u përfundua shtatorin e kaluar.
Vendimi i SHBA-ve vjen pasi kancelari gjerman Olaf Scholz njoftoi se tubacioni do të qëndronte i mbyllur në përgjigje të lëvizjeve të Rusisë kundër Ukrainës.
Nord Stream 2 është një tubacion 1 mijë e 200 km nën Detin Baltik, i cili do të çojë gazin nga bregu rus pranë Shën Petersburgut në Lubmin në Gjermani. Nuk është hapur ende dhe certifikimi u ndërpre dje nga qeveria gjermane.
Nord Stream 2 shkon paralelisht me një gazsjellës ekzistues, Nord Stream, i cili ka funksionuar që nga viti 2011. Së bashku, këto dy tubacione mund të dërgojnë 110 miliardë metra kub gaz në Evropë çdo vit. Kjo është më shumë se një e katërta e të gjithë gazit që vendet e Bashkimit Evropian përdorin çdo vit.
Sot gjatë ditës Moska ka reaguar ndaj sanksioneve që SHBA-të kanë vendosur kundër Rusisë, duke u zotuar për “një përgjigje të fuqishme” ndaj një varg masash kundër bankave dhe individëve rusë që i prezantoi presidenti amerikan, Joe Biden.
“Nuk duhet të ketë dyshim, ndaj sanksioneve do të ketë përgjigje të fuqishme, jo detyrimisht simetrike, por të mirëkalibruara dhe të ndjeshme ndaj palës amerikane”, tha Ministria e Jashtme.
Kujtojmë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë, pasi presidenti Vladimir Putin, njoftoi se ka njohur si shtete të pavarura, dy rajone në lindje të Ukrainës që kontrollohen nga separatistët e mbështetur nga Rusia./21Media

Back to top button