Bislimi: Shkojmë drejt fazave të fundit, qytetarët do mund të lëvizin pa viza nga 1 janari 2024

Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ka thënë se votimi i sotëm në Këshillin e Ministrave është një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
Ai ka thënë se me votimin e sotëm, shkojmë drejt fazave të fundit dhe përfundimit të procesit.
“Një hap i rëndësishëm drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës. Me votimin unanim dhe miratimin e sotëm të Këshillit të Ministrave të BE-së, për liberalizimin e vizave për Kosovën, shkojmë drejt fazave të fundit dhe përfundimit të procesit. Procedurat e mbetura janë miratimi nga Parlamenti Evropian, nënshkrimi dhe publikimi në gazetën zyrtare të BE-së. Presim që këto hapa të përfundojnë zyrtarisht brenda pjesës së parë të këtij viti. Pritja e gjatë po shkon hap pas hapi drejt fundit, ku qytetarët do mund të lëvizin pa viza nga 1 janari 2024”, ka shkruar Bislimi në Facebook.
Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian i ka thënë dritën e gjelbër liberalizimit të vizave për Kosovën. Rregullat e reja i lejojnë qytetarëve të Kosovës të udhëtojnë në BE pa viza për një periudhë qëndrimi prej 90 ditësh në çdo periudhë 180-ditore. Kjo do të aplikohet sapo ETIAS të hyjë në fuqi nga 1 janari 2024. Rregullat tani duhet të adoptohen nga Parlamenti Evropian para se të nënshkruhet dhe publikohet në gazetën zyrtare të BE-së.“Kosova ka bërë përpjekje të mëdha për të përmirësuar sigurinë dhe menaxhimin me migrimin dhe të bashkërendojë politikën e vizave me atë të BE-së. Shpresojmë se bashkëpunimi jonë në këto fusha do të vazhdojë të jetë i dobishëm”, ka thënë ministrja për Migrim e Suedisë, Maria Malmer Stenergard./21Media

Back to top button