“Bjeshkët e Istogut do të bëhen atraksione turistike në hartën e Evropës”

Hoti në Istog: Ne jemi Brezi i Republikës, do t’i nxjerrim në opozitë Koalicionin e territ

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë të marten në Istog se, janë Brezi i Republikës, të cilin e kishte ideuar Presidenti Historik Ibrahim Rugova, i cili do ta zhvillojë Kosovën dhe do ta dërgojnë siç ka deklaruar ai koalicioni e territ në opozitë.

Ai ka shtuar se vendlindja e Rugovës, Istogu ka qenë dhe do të mbetet vatër e LDK-së dhe vatër e demokracisë.
“Jam i nderuar që në mesin tonë i kemi themeluesit dhe të rinjtë e të rejat e LDK-së dhe partnerëve të koalicionit. Lumi i njerëzve nuk ka të ndalur. Vlerësimet e fundit tregojnë se ne jemi fitues, por fitorja jonë duhet të jetë e thellë. Fitorja jonë është fitore e qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka pohuar se gjatë mandatit të kaluar i kemi rritur 60% pensionet, ndërsa qeveria e re do t’i rrisë edhe 40% pensionet bazike. Hoti është zotuar për rritje të pagave të policëve, FSK-së, shëndetësisë, arsimit, kulturës, sportit dhe sektorëve të tjerë.  Sipas tij, me qeverinë e re, Bjeshkët e Istogut do të bëhen atraksione turistike në hartën turistike të Evropës.

Kryetari i Istogut dhe nënkryetari i LDK-së, Haki Rugova ka thënë se duke e parë këtë masë, jo vetëm në Istog, por kudo që po shkojmë, shihet qartë orientimi për të pasur një qeveri të mirë, të ndershme dhe të tillë çfarë e meriton Kosova. “Rrëzimi i qeverisë nuk ishte i rastësishëm, sepse u pengoi atyre që nuk ia duan të mirën vendit. Por, aty ku e la z. Mustafa, do ta vazhdojë z. Hoti me ekipin e tij”, ka thënë kryetari i Istogut.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se tubimi në Istog është pamja më e mirë që mund ta dëshirojë dikush, sepse kjo është pamje që mund ta japë vetëm LDK-ja, ky është koalicioni ynë, kjo është fitorja jonë, e Istogu që i themi edhe Burim, është burim i fitores. “Ne kemi qeverisur dy vjet dhe dëshmuam se mund të ketë qeverisje pa korrupsion, i kemi marrë të gjitha masat për ruajtjen e vendit. Pa marrë parasysh se, ata si kundërpërgjigje e shpërbënë Kuvendin, unë ju garantoj se me kryeministrin Hoti do ta vazhdojmë qeverisjen ashtu siç vërtet e meriton Kosova”, ka shtuar kryetari i LDK-së. Ai ka thënë se nuk mund të flasë për programin e të tjerëve, sepse ata nuk kanë fare program, por vetëm japin premtime boshe.

Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli ka thënë se mjaft më me zhvatje, me hajni, me korrupsion, tani ka ardhur koha t’i kthehemi amanetit të Ibrahim Rugovës, që ‘shteti bëhet me njerëz të urtë e të mençur’, e ata njerëz janë në koalicionin tonë’. “Zoti e ka falë Kosovën vend me gurë, për ta dashur ashtu siç është. Por ata nuk e deshën Kosovën, atë e dhunuan njerëzit e fortë, të paskrupullt dhe ata janë vetëm 20 njerëz. Prandaj e mira e së mirës është që ata të largohen”, ka thënë Pacolli.

Back to top button