Blinken: Kosova, partnere e palëkundur e SHBA-së

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, e ka quajtur Kosovën partnere të palëkundur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fillim të takimit me krerët e Kosovës, presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka thënë se ka histori të gjatë mes dy shteteve, ndërsa ka falënderuar Kosovën për pritjen e refugjatëve afganë dhe përkrahjen për Ukrainën.
Blinken po ashtu i uroi mirëseardhje Osmanit e Kurtit duke thënë se nesër do të nëshkruhet marrëveshja e MCC-së.
“Kosova është partnere e palëkundur dhe e rëndësishme e SHBA-së. Ne jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-të dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe një herë që i keni mirëpritur afganët dhe që kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën. Keni punuar edhe në aspektet tjera, të cilën gjë e çmoj. Presidente e çmoj lidershipin tuaj. Nesër do të nënshkruani kontratën me MCC për energji. Kemi bashkëpunuar për të gjitha këto çështje dhe kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale. Faleminderit që keni ardhur, është nder dhe kënaqësi”, ka thënë Blinken.
Në anën tjetër, Osmani ka thënë se partneriteti i Kosovës me SHBA-të nuk është vetëm i domosdoshëm, por ka qenë ekzistencial për të arritur lirinë, në rrugën për pavarësi e në zhvillimin si demokraci.
Osmani ka thënë po ashtu se garanton që Kosova është me popullin e Ukrainës kundër agresionit rus./21Media

Back to top button