Bojkotimi i mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri”, prindërit: Mos i përdorni fëmijët

Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë sot ka reaguar duke shprehur pakënaqësinë e papranueshmërinë e plotë me bojkotimin e mësimit në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Prishtinë – tashmë për të katërtën ditë.
Sipas Kryesisë së Këshillit, arsyeja përse një grup arsimtarësh atje po shkaktojnë bojkotimin e plotë të procesit mësimor, për shkak të pakënaqësive me përzgjedhjen e drejtorit të ri, në procedura të zhvilluara nga institucionet përgjegjëse të arsimit, është krejtësisht e pajustifikueshme, kur këtë çështje, sipas Këshillit, duhet ta trajtojnë organet përgjegjëse.
“Vetëgjyqësia që këta arsimtarë po e bëjnë, në sy të të gjitha institucioneve shtetërore, përveç dëmit të madh që po ua shkaktojnë fëmijëve tanë (e edhe rrezikimit fizik të tyre nga shprehjet e pakontrolluara të pakënaqësisë), shfaq dhe tregon për prezencën dhe ndikimin që kanë strukturat joformale nëpër shkolla tona, dhe të cilat tentojnë të imponojnë me mjete joligjore vendimet e tyre krejt njëanshëm e jashtë rrugëve intitucionale. Në asnjë kontratë, udhëzim, rregullore a ligj nuk ekziston baza juridike që arsimtarët të bojkotojnë mësimin për çështje që fare nuk kanë lidhje me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre. Çdo pretendim që çdokush ka me proceset e përzgjedhjes së drejtorëve duhet të përdorë rrugët ligjore e të pres trajtimin e çështjes.”, është shkruar në reagim.
Kryesia e Këshillit të Prindërve në Prishtinë ka theksuar se janë të mllefosur me heshtjen e kryetarit të Prishtinës, me Inspektoratin e Arsimit dhe me Ministrinë e Arsimit. Kryesia iu ka bërë thirrje institucioneve që të ndërpritet bojkotimi dhe të rifillojë mësimi.
“Jemi, njëkohësisht, të habitur e të mllefosur me heshtjen e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, që e ka iniciuar këtë proces; me Inspektoratin e Arsimit, që këqyr sehir e nuk merr asnjë masë, por edhe me Ministrinë e Arsimit që nuk shqetësohet për mosmbajtjen e mësimit në një nga shkollat më të njohura e më të vlerësuara të kryeqytetit. Kjo është e pashembullt dhe e turpshme! Iu bëjmë thirrje institucioneve vendimmarrëse për arsimin në kryeqytet: Komunën e Prishtinës, Inspektoratin e Arsimit dhe Ministrinë e Arsimit që pa asnjë vonesë të marrin masa që bojkotimi të ndërpritet dhe fillimi të rifilloj. Lëreni lojërat e mos i përdorni fëmijët tanë si mish për top! Shkollat janë për fëmijët e të fëmijëve!”, është shkruar tutje në reagim.
Ndryshe, para disa ditësh, nënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” nuk kanë mabjtur mësim pasi mësimdhënësit e kanë bojkotuar procesin në shenjë revolte ndaj drejtoreshës së re të emëruar në këtë shkollë, ndërkohë që edhe nxënësit kanë mbështetur profesorët e tyre. Profesorëtpo pretendojnë se Fahrije Ratkoceri është emëruar jashtëligjshëm. Ndërkaq, një profesor dhe zëvendësdrejtori i gjimnazit, Ibush Llapashtica dhe Daut Selimi kishin qenë kundërkandidatë të saj në konkursin e shpallur nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Prishtinë./21Media

Back to top button