Bora bllokon rrugë dhe izolon fshatra, disa vendbanime mbeten pa energji elektrike

 
“Jemi në Kërçovë, këtu të gjitha rrugët tanimë kanë filluar të jenë të kalueshme, por megjithatë me vështirësi dhe duhet të kalosh me pajisje dimërore. Në ish-Komunën e Zajazit dhe ish-Komunën e Osllomesë shumë fshatra nuk kanë energji elektrike që në orën 4 të mëngjesit. Bora vazhdon të bie, ndërsa shumë rrugë të qytetit dhe lagjeve janë pa pastruar, gjithashtu edhe shumë rrugë nëpër fshatra janë të pa pastruara. Në adresë të TV21 kanë arritur shumë ankesa për rrugë të pa pastruara dhe ngecje. Thuhet se në viset malore ose në fshatrat malorë bora ka arritur në 40 cm”, raporton gazetarja e TV21, Salije Sadiku.
Gjersa rrugët e Kërçovës dhe në rruga magjistrale është e mbushur me borë, janë formuar vetëm korsi veturash në të cilat vështirë kalohen, ndërsa trotuaret për këmbësorët janë stërmbushur me borë. Nga ndërmarrja “Komunale” në Kërçovë thonë se kanë dalë në teren që në orët e para të mëngjesit, por megjithatë bora është e rëndë dhe vështirë largohet.
“Rrugët kryesore të qytetit jemi duke i pastruar, bora është shumë e rëndë dhe e vështirë për t’u larguar, informacione për ngecje deri më tani nuk kanë arritur tek ne. Ne si ndërmarrje kemi në mbikëqyrje qytetin e Kërçovës. Ndërsa fshatrat i pastrojnë kompani të tjera”.
Situatë e rëndë është krijuar edhe në Strazhë, ku është ndaluar qarkullimi i automjeteve të rënda, ndërsa në orët e paraditës u krijua kolonë e gjatë për shkak të rrugëve të pa pastruara. Ngecje ka edhe në rrugët e Mavrovës ku shihen automjete të parkuara rreth rrugës në pamundësi për të lëvizur.
Në Tetovë rrugët e qytetit janë pastruar, por me vështirësi lëvizet në rrugët e fshatrave malore, ku vështirë të kalohet pa pajisje dimërore. Nga NPK “Tetova” thonë se çdo terren është i mbuluar plotësisht me makineritë e nevojshme, ndërsa përqendrimi më i madh është në rrugët që e lidhin qytetin dhe fshatrat e Malësisë së Tetovës.
“Deri më tani është pastruar çdo rrugë, kurse faza e dytë vazhdon edhe me largimin e borës me qëllim zgjerimin e rrugëve për qarkullim të lirë të automjeteve. Kurse pas orës 15:00 do të fillohet edhe me hedhjen e kripës. Për momentin disponojmë me afërsisht 500 ton kripë dhe 3000 ton metër kub rërë. Normalisht që do ishte më e lehtë që të menaxhohej gjithë situata nëse gjatë ditës së djeshme Këshilli Komunal do të miratonte konkluzion për të kaluar te NPK gjithë kompetencat për këtë çështje, por pavarësisht kësaj ne po bëjmë maksimumin për të zgjidhur problemin në fjalë”, thonë nga NPK “Tetova”.
Problemi tjetër që haset çdo herë që bije borë është edhe ndërprerja e energjisë elektrike në shumë qytete të vendit. Në Kërçovë shumë fshatra janë në errësirë që në orën 4 të mëngjesit. Pa rrymë elektrike ishin edhe Ohri, Struga, Resnja dhe Dibra, por më pas në disa pjesë problemi u sanua./21Media

Back to top button