Borell telefonoi Kurtin dhe Vuçiqin: Të dy palët janë të gatshme për de-eskalim

Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell tha se situata e krijuar nga serbët në Kosovë po e shqetëson BE-në.
“Shqetësuese është Kosova. Ne menduam se gjërat u qetësuan pas marrëveshjes për targat. Por sërish serbët e Kosovës, pas arrestimit të një ish-polici serb u përgjigjën me shumë probleme nëpër rrugë, duke i bllokuar ato, madje duke hedhur shok-granata ndaj disa prej zyrtarëve tanë policor. Kjo është e papranueshme. E di që të dy palët duan ta deeskalojnë situatën. Fuqishëm i thërras ato që ta bëjnë një gjë të tillë”, tha Borrell.
Ai tha se Kosova e Serbia duhet t’iu kthehen dialogut.
“Por në këtë rast unë isha në kontakt me kryeministrin Kurti, Miroslav Lajçakun dhe presidentin Vuçiq. Kjo prishje e rendit publik, kjo dhunë nuk janë të përballueshme. Ata duhet t’i kthehen dialogut, duhet ta tejkalojnë tendencën për t’u përballur në rrugë e krijuar bllokada. Kjo nuk është mënyra për të arritur marrëveshje apo vazhduar bisedimet e për të kërkuar zgjidhje, e për të vazhduar procesin e normalizimit në të cilin ata janë të angazhuar”, iu tha Borrell në një prononcim për gazetarë para fillimit të mbledhjes së ministrave të shteteve anëtare në Këshillimin Evropian.
Disa serbë lokalë në veri të Kosovës, qysh më 10 dhjetor, ngritën barrikada në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, t’i largojë barrikadat në veri.
Komuniteti ndërkombëtar bëri po ashtu thirrje për largimin e barrikadave. Ambasadat e SHBA-së në Prishtinë dhe Beograd thanë se arrestimi i Pantiqit “po përdoret si justifikim për bllokime të paligjshme të rrugëve”./21Media

Back to top button